Komuna e Mitrovicës së Veriut ndaloi punimet në tri objekte pa leje|Video
BKT
Lajme

Komuna e Mitrovicës së Veriut ndaloi punimet në tri objekte pa leje|Video

Edina Avdiu|RTK

Në Mitrovicën e Veriut, respektimi i ligjit, ka dhënë efektet e para. Atje është ndaluar vazhdimi i ndërtimeve, së paku në tri objekte të mëdha, shkaku i parregullsive të evidentuara nga Drejtoria për Inspeksion.

Asnjë punëtor nuk u pa të premten në objektin që po ndërtohet në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë të Veriut. Ndërtimet në këtë objekt kanë filluar pa i përfillur procedurat ligjore. Të enjten i janë vendosur shiritat që ia ndalojnë vazhdimin e punimeve disa objekteve në këtë komunë, duke përfshirë një ndërtesë në afërsi të shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut dhe një  ndërtesë në lagjen Kroi i Vitakut. Në Komunën e Mitrovicës së Veriut thonë se Drejtoria e Inspeksionit ka vizituar këto lokalitete të enjten.

Informacionet ishin se nuk janë respektuar rregullat për aplikim për leje dhe dokumentacione të tjera.

“Vizita në ato lokacione ka rezultuar me suspendim. Më konkretisht janë vendosur shiritat për ndalim të punëve dhe ata që janë paraqitur si persona përgjegjës për ato vende të punës janë informuar për procedurën se si duhet të aplikojnë në Drejtorinë përkatëse të Komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ai thotë se kudo që hasen ndërtime në këtë komunë, e që nuk kanë aplikuar për leje, punimet do të ndërpriten deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Që nga paslufta me investime direkt të Serbisë, në veriun e Republikës së Kosovës, janë ndërtuar në vazhdimësi objekte të larta banimi për banorët serbë.

Asnjëra prej tyre nuk është e pajisur me leje ndërtimore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.


MË SHUME NGA Lajme