"Paradigma": "Tradita" që merr jetë
Besjana Mulaj /RTK
Plumbat e shkrepur në gëzimet familjare lënduan një vajzë 15 vjeçare dhe dy burra, gjatë vitit 2022. Në po të njëjtin vit, policia e Kosovës arrestoi më shumë se 100 persona për shkak të gjuajtjeve me armë zjarri në festa familjare. Kjo dukuri e thirrur në respektim të traditës vazhdon edhe këtë vit.
Në rastet e martesës së çiftit, në disa familje ende shkrepet plumbi pa shënjestër, në shenjë gëzimi për fillimin e jetës së re bashkëshortore.
Por, ish-togeri, Fatmir Limani i cili për shumë vite ka shërbyer në policinë e Kosovës thotë se çdo plumb i shkrepur pa shënjestër dhe jashtë vendeve adekuate, e rrezikon jetën e dikujt.
“Në momentin kur zgjatet dora dhe merret arma, njerëzit krijojnë emocione sado që kanë përvojë. Dikush mund të ketë edhe përvojë në posedimin e armës megjithatë në momentin kur donë me e shkrep një plumb ka emocione dhe dora nuk mund të më të drejtohet në drejtim të sigurt, andaj vërtet rreziqet janë të mëdha kur armët përdoren në vende jo të sigurta. Ato duhet të përdoren në poligone dhe aty është e sigurt dhe e mbikëqyrur nga ekspertët e sigurisë edhe për vet qitësin por edhe për të tjerët”, theksoi si.
Ndërsa, studiuesit e historisë thonë se një veprim i tillë është shkëputur nga tradita që dikur kishin lidheshin me veprime të caktuara.
“Tradita është komplekse nuk është aq e thjesht dhe ta marrësh vetëm atë që ty të konvenon, pra duhet shikuar nga të gjitha aspektet. Nëse ma herët kanë qitur me armë ndonëse ma pak se sot ne raste festash sepse për shumë arsye atëherë ishte më ndryshe edhe njerëzit dënoheshin dhe kërkoheshin për armëmbajtje pa leje dhe dihet edhe sistemet e mëhershme se çfarë kanë qenë, Ndërsa, sot ka mundësi që të sigurohet arma pa kurrfarë problemi dhe të përdoret në vend e pa vend, tash mblidhen disa persona dhe gjuajnë me armë, më herët është qitur me armë kur kanë ardhur krushqit dhe kur janë larguar dhe me lindjen e djalit kanë qitur me armë”, tha për RTK-në, etnologu Bashkim Lajçi.
“Kur dikush e ka pas një armë në shtëpi nuk e ka ditë askush, ose edhe dikush e ka pas një armë në shtëpi dhe e ka ditë vetëm edhe një anëtar tjetër i familjes. Ka pas raste kur armën e ka dorëzua vet në polici, për shkak të rrezikut se ajo armë mund të keqpërdoret nga ndonjë anëtar tjetër i familjes. Pra, siguria ka qenë më e madhe, por pasioni më i vogël, ndërsa tani pasioni është më i madh, por ka papërgjegjësi totale”, ka theksuar ish togeri i policisë, Fatmir Limani.
Gjuajtja me armë kërkon maturi, përgatitje fizike e psikike, por edhe respekt ndaj përdorimit të saj. Trajnimi është i domosdoshëm për të gjitha ata duan të shkrepin me armë.
Gyli Tafili është trajner i përdorimit dhe gjuajtjes me armë. Ai thotë se pavarësisht përvojës, para tërheqjes së këmbëzës së armës, çdo herë duhet të mendohemi mirë për shkrepje.
“Shumica e njerëzve kanë qejf, e ka si pasion me gjuajt me armë ose të pajisen me armë zjarri. Por, aty ndahet edhe në armë shenjëtarie dhe gjuetie. Por ato duhet të trajtohen sipas rregullave të gjuajtjes me armë, ata duhet t’i nënshtrohen testit , njeri e donë armën dhe ka qejf me pas, por gjithçka është e mundur dhe vetëm kërkon përkushtim dhe mençuri do edhe respekt “, tha Tafili.
Shfrytëzimin e festës për përdorim të armës, sociologët nuk e cilësojnë traditë, por shprehje të autoritetit mashkullor.
“Kjo është ma shumë edhe diskurs i gjinisë, sepse me armë gjuajnë meshkujt apo djemtë. Janë ata që gjuajnë me armë, por për gjatë traditave është caktuar një persona adekuat dhe ai person i ka bartë pasojat. Sipas kanunit të Lek Dukagjinit ka qenë person i caktuar që është dashtë me gjuajt dhe nëse ka gjuajt dikush tjetër atëherë ka lind konflikti. Në atë kohë ka qenë shumë e kontrolluar dhe e shprehur, por sot nuk është e kontrolluar dhe është pikërisht prej egos dhe mashkullinitetit toksik që ndodhë ky fenomen. Unë mendoj që veç disa meshkuj që kanë nevojë me shpreh atë autoritetin në mënyrë ma të ashpër dhe ma të rreptë e bëjnë me tregu forcë e dominim”, theksoi Erisë Hajrizi, sociologe.
Nga përvoja e tij e gjatë në ofrimin e sigurisë dhe rendit për qytetarët togeri Limani, tashmë në pension, thotë se është mosha janë moshat e reja që kanë pasion armën nga ndikimi i lojërave elektronike. Ndërsa ata që i takojnë moshës së pjekurisë janë të afërt me armën sepse janë rritur e kanë jetuar me të, për shkak të rrethanave me të cilat është përballur vendi.
“Të rinjtë e kanë pasionin ma të zhvilluar për armën ngase janë të influencuar nga rrjetet sociale dhe interneti dhe atyre duhet të ju shpjegohet me kohë pasojat se cilat mund të jenë nga bartja dhe posedimi I armës e sidomos shkrepja e saj në vende publike”, theksoi Limani.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë janë rreth 40 mijë armë me leje. Me ligjin aktual çdo person që ka moshën mbi 21 vjeçare mund të aplikoj për tu pajisur me armë.
“Kriteret e përgjithshme janë që të jetë shëndosh sipas një vërtetimi të mjekësisë, eshët certifikata që e përcakton nivelin shëndetësor të tij. Duhet ta ketë trajnimin përkatës, për armën për të cilën dëshiron ta posedoj sepse janë tri lloje, është e shkurtra për shenjëtari dhe janë të gjatat edhe për sport edhe për gjueti”, tha udhëheqës i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në MPB, Destan Mustafa.
Për gjuajtje në vendet publike, sipas kodit penal gjoba më e lartë është 103 euro.
E me tre muaj burgim dënohen ata që gjuajnë me armë ku ka mbledhje ose grumbullim njerëzish.
Ndërsa posedimi i armëve ose municionit pa leje dënohet me burgim deri në dymbëdhjetë muaj ose me gjobë deri ne 371 euro.
“Konsideroj që ligjet duhet të jenë më të ashpra se vet përdorimi I armës, shkrepja e armës, përdorimi është posedim ilegal nëse nuk e ka lejen por shkrepja është vepër penale rrezikim i sigurisë shoqërore dhe nuk do të duhej prit që dikush të vdes nga ndonjë plumb dhe që të vepron ligji, duhet të ashpërsohen masat ligjore dhe sanksionet duhet të jenë shumë më të ashpra”, tha Limani.
Ngecjet për plotësimin e ligjit aktual për armë i pranojnë edhe vet zyrtarët përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por thonë se janë duke punuar në ndryshimin e tij.
“Në rastin e mbajtjes së armës ligji i ka disa ngecje që nuk përcaktohet a kalon te kodi penal apo te çështja administrative dhe këto janë disa detaje që do të qartësohen me ligjin e ri, si shtet për ta trajtuar më mirë këtë fushë. Aktivitetet më të shumta deri më tani kanë qenë tregtia e armëve kryesisht importimi. Tani është duke dalë puna më me madhe në teren tek përdorimi i tyre, përdorimi me leje, pa leje, transportimi I tyre me leje apo pa leje, këtu kemi disa telashe për të cilat ne jemi në poseduar të hartimit të ligjit të ri që nënkupton që të gjitha ato defekte që i kemi identifikuar në praktik gjatë këtyre viteve do t’i trajtojmë me ligjin e ri”, theksoi për RTK, Destan Mustafa.
Fushatat vetëdijesuese për të shmangur përdorimin e armëve sidomos në gëzimet familjare janë të përvitshme, por për sociologen Erisë Hajrizi, ndryshimi i mentalitetit për mënyrën se si festohet, kërkon edukim shoqëror.
“Sot mundet me u bo një fushatë vetëdijesuese dhe me prit ndryshimin, jo këtu duhet një punë sistematike ma e thellë, një kontrollim më i shpeshtë. Nuk e di qysh funksionojnë dhe cilat janë procedurat policore, por e di që në rast se e lajmëron dikën, ka me ardhur në patrullë dhe ka me bo diçka për atë rast, Por, te na është se si me e bind një shoqëri që me lajmëruar tjetrin që ka posedim të armës. Këtu kemi punë edhe na bashkërisht, si shoqëri me edukua njëri- tjetrin, se nuk mundet policia me na kontrollu në secilën dasmë”m tha Hajrizi.
Ish togeri, Fatmir Limani, thekson se vet krisma krijon problem të rënda psikologjike tek të pranishmit në dasmë në aspektin psikologjik dhe emocional në të njëjtën kohë.
“Plumbi që del nga tyta ai mund ta rrezikoj cilin do pa e pas dëshirën qitësi. Por, ai nuk e llogarit që plumbi mund të bjer diku dhe ta lëndojë dikë, andaj do të duhej të ndalen një herë e përgjithëmonë shkrepjet me armë nëpër ahengje dhe ka mënyra të tjera me festua. Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë, nuk mund të qëndrojmë gjithnjë besnik te traditave kur arma dikur e ka pas vlerën e vet, ndërsa sot arma për qytetarin është një vlerë minimale ose fare e panevojshëm, por për institucionin sigurisht që është e nevojshme dhe e domosdoshme”, tha ai.
Gyl Tafili, instruktor i gjuajtjes me armë, thotë se gjuajtja me armë është tejet e rrezikshme.
“Janë vendet e përcaktuar për gjuajtje, jo në dasma. Unë ju kisha thanë kurrë në jetë mos me provuar, arma që nuk shënjestrohet. E thonë edhe rregullat mos e drejto armën nëse nuk e ke ndërmend ta shkatërrosh, nuk drejtohet në drejtim të panjohur. U kisha preferuar rreptësisht dhe ju lutna moralisht mos ta përdorin armën në dasmë. Dasmat dhe ahengjet t’i festojmë me kënaqësi, jo me armë”, thotë Tafili.
Gjatë realizimit të detyrave hetimore dhe operative policia e Kosovës shpesh has në rastet kur qytetarët mbajnë armë pa leje, andaj gjatë vitit 2022 janë konfiskuar rreth 1500 armë pa leje dhe municion I konsiderueshëm.
Plumbat e shkrepur në gëzimet familjare lënduan një vajzë 15 vjeçare dhe dy burra, gjatë vitit 2022. Në po të njëjtin vit, policia e Kosovës arrestoi më shumë se 100 persona për shkak të gjuajtjeve me armë zjarri në festa familjare. Kjo dukuri e thirrur në respektim të traditës vazhdon edhe këtë vit.























