Kurti: Policët e rënë në luftën kundër bandave u përjetësuan në histori
BKT
Foto: Edina Avdiu - RTK / ZKM
Lajme

Kurti: Policët e rënë në luftën kundër bandave u përjetësuan në histori

Edina Avdiu | RTK

(I plotësuar) Kryeministri Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Memoriale të Policëve të rënë në kryerje të detyrës.

Fillimisht kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta në Lapidarin e zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës, i cili gjendet në oborrin e përbashkët të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë.

Para se të bëhej zbulimi i pllakës së Heroit Enver Zymeri në kampin “Belvedere”, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi, ministrat Sveçla dhe Haxhiu, dhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha bashkë me të birin e Enver Zymerit, Sokol Zymeri, bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta edhe te vendi i rënies së tij më 26 korrik 2011.

Nga kampi Policisë që nga sot zyrtarisht do të bartë emrin e Enver Zymerit, duke përkujtuar 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës zyrtare, kryeministri Kurti tha se ata u përjetësuan në historinë e vendit tonë duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione për shtrirjen e rendit dhe sovranitetit, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, e në patrullime të rregullta.

“E sot, teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymerit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mbledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në dy pikat kufitare me Serbinë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Enveri i rritur e i edukuar nga një familje patriotike që ishte e përndjekur nga regjimi serb, pas uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi shërbimin ndaj vendit me uniformën e Policisë së Kosovës dhe është shembulli i qytetarit që u angazhua për të kuptimësuar lirinë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u tha familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës se sakrifica e bijve të tyre, është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës. “Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh. Ata jetojnë në kujtimet më të mira e në përvojat më të vlefshme të kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë gjithmonë përkrah zyrtarëve policorë e bashkë me ta, për të ndarë së bashku përvojat më të mira e sukseset e shumta për t’u ballafaquar me çdo sfidë që mund të dalë para nesh.

“Vazhdoni denjësisht drejt rrugës së tyre për të garantuar rend dhe ligj në Republikën tonë. Vazhdoni pa kompromis luftën ndaj bandave, ndaj krimit, e ndaj çdo veprimtarie që cenon sigurinë e qytetarëve tanë e të vendit tonë”, shtoi Kurti.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla theksoi se është nderë dhe krenari që sot së bashku, këtu, kujtojmë dhe nderojmë veprën heroike të 22 zyrtarëve tanë policorë të cilët ranë në kryerje të detyrës.

“Kemi zgjedhur, pikërisht këtë ditë sot, që me rastin e 12 vjetorit të rënies së Enver Zymerit, të
bëjmë dhe zbulimin e pllakës së emërimit të Qendrës së Njësive Speciale me emrin e Heroit Enver Zymeri. Qendra që deri sot është quajtur ‘’Belvedere’’ nga sot do të mbajë emrin ‘’Enver Zymeri’’, si simbol i përpjekjeve të shtetit të Kosovës për të shtrirë sundimin e ligjit në çdo cep dhe për integritet e sovranitet në mbarë territorin e Kosovës”, theksoi ministri Sveçla në fjalimin e tij. 

Në këtë ceremoni po ashtu foli edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend
Hoxha, i cili theksoi se puna e policit përtej nderit e krenarisë për shërbim ndaj qytetarëve ka edhe rreziqet e veta, për të cilat sot kujtojmë policët që dhanë më të shenjtën jetën, në krye të detyre. Ai u zotua se Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë garanate e sigurisë në Kosovë dhe për këtë kërkoi edhe më tej mbështetjen e qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës.

Kampi “Belvedere” nga sot do të njihet me emrin “Enver Zymberi”

Nga sot kampi i policisë i njohur si ‘Belvedere’ në Mitrovicë do të njihet me emrin e ri “Enver Zymberi”. I pranishëm në ceremoninë e zyrtarizimit të emrit të ri të këtij kampi ka qenë edhe kryeministri Albin Kurti, me  ç’rast është bërë edhe zbulimi i pllakës me emrin e heroit Enver Zymberi. Bashkë me kryeministrin Kurti ka ardhur edhe djali i heroit, Enver Zymberi, Sokoli.

Në fjalën e rastit, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ndalet derisa të vihet dritë mbi rastin e të ndjerit, Enver Zymberi.

“Jam shumë  i nderuar që po kujtojmë 22 zyrtarë policorë që dhanë jetën kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione në shtrirje të sovranitetit në vendin tonë. Sot është përvjetori i vrasjes së Enver Zymberit, kurse ne jemi në vendin ku ai mori rrugën e fundit kur u nis drejt shtrirjes së sovranitetit në vend. Nuk do të ndalemi asnjëherë për të vënë dritë mbi rastin”, ka theksuar Kurti.

Zyrtarizimi i emërimit të këtij kampi me emrin e heroit Enver Zymberi është bër me rastin e ditës memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës.

Enver Zymberi ishte pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ai ishte vrarë më 26 korrik të vitit 2011, në një aksion që Policia e Kosovës e kishte ndërmarrë në veri të Mitrovicës për shtrirje të sovranitetit në tërë territorin e Republikës dhe për të vendosur kontroll në pikat kufitare me Serbinë.



MË SHUME NGA Lajme