Kosova dhe Gambia koordinohen për trajnime të përbashkëta
E. Hoti / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar me homologun e tij të Gambisë, Sering Modou, me të cilin u koordinua për marrëveshje bashkëpunimi dhe zhvillim të trajnimeve të përbashkëta.
Mehaj ka shkruar në Facebook se me Modou, u takua gjatë vizitës zyrtare në Turqi.
“Së bashku me Ministrin diskutuam për zhvillimin bashkëpunimit dhe marrëdhënieve tona në fushën e mbrojtjes, duke u koordinuar për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, pastaj zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta në fusha të cilat ushtritë tona kanë më shumë nevojë”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka shtuar se aktivitetet që mund të zhvillohen në të ardhmen do të jenë në përputhje me vlerat dhe parimet e NATO-s dhe të koordinuara me partnerët.
“Përqafimi i vlerave demokratike na bënë më afër njëri-tjetrit dhe më të lehtë bashkëpunimin, të gjitha aktivitetet tona që mund të zhvillohen në të ardhmen, do të jenë në përputhje me vlerat dhe parimet e NATO-së dhe të koordinuara me partnerët tanë”, ka shkruar tutje Mehaj.























