Qorrolli: Ligji për Byronë Shtetërore synon parandalimin e korrupsionit
Emine Hoti | RTKlive
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli beson se Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i cili ndodhet në Gjykatën Kushtetuese do të marrë epilog pozitiv.
“Besoj se Gjykata Kushtetuese do të japë një epilog pozitiv dhe do ta konstatojë se ky ligj është në pajtim me Kushtetutën sepse ky ligj parasegjithash synon në mënyrë fundamentale parandalimin e korrupsionit në sistemin tonë publik”, ka theksuar Qorrolli në një intervistë në “RTK Prime”.
Ai ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e elitës politike është pasuruar nëpërmes parasë publike.
“Byroja do të jetë një test shumë i mirë që do të synojë në Kosovë të vendoset drejtësia dhe kjo drejtësi e cila do tu japë qytetarëve garanca të fuqishme se këtu askush nuk do të mund të abuzojë me detyrën. Ky është synimi parësor. Nuk po e them vetëm në mënyrë filozofike, por edhe në aspekt juridik dhe politik. Pra, ligji synon mbi të gjitha së pari identifikimin dhe pastaj parandalimin e korrupsionit në administratën publike në Kosovë”, ka theksuar Qorrolli.
Ai tha se për reformën në drejtësi synojnë që gjatë këtij mandati të ketë gjithëpërfshirje. “E domosdoshme është përfshirja e Këshillit Gjyqësor si kategori kushtetuese, por gjithashtu edhe e Këshillit Prokurorial. Ju e dini që një sfidë ekzistuese nuk është bashkëpunimi me Këshillin Prokurorial, por është rezistenca e tyre e fortë për ta reformuar atë që Komisioni i Venecias si një trupë elitare e mendimit të jurisprudencës në Evropë e ka quajtur si korporatë e njerëzve brenda llojit të tyre, nuk janë të interesuar për të ngjallur një reformë. Ky lloj korporatizmi të cilin Komisioni i Venecias e ka shpallur dhe e ka quajtur si të tillë vet nënkupton që Këshilli Prokurorial nuk dëshiron të reformohet. Prandaj është bërë ndryshimi ligjor”, ka shtuar Qorrolli.
Ai ka thënë se ka qenë e natyrshme që ai t’i bashkëngjitet sistemit, duke qenë se sipas tij ftesa e kryeministri Kurti ka qenë jashtëzakonisht e sinqertë. “Ai më ka kërkuar që t’i bartë idetë e mia në Ministrinë e Drejtësisë me përvojën time, me angazhimet e mia të mëhershme dhe ka qenë një vendim për të cilin nuk jam menduar dy herë për t’ju bashkangjitur ekipit të ministres Albulena Haxhiu”, ka thënë Qorrolli.























