ARBK refuzon ankesën e Klan Kosovës, vijnë reagimet kundër vendimit
BKT
Lajme

ARBK refuzon ankesën e Klan Kosovës, vijnë reagimet kundër vendimit

Sh.Ç /RTKlive

(E plotësuar, 21:15)Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e Klan Kosova lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit së televizionit. Për këtë vendim kanë reaguar  diplomat e përfaqësues organizatash të gazetarëve, si dhe lider të partive politike opozitare.

Ambasadorët e QUINT-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian përmes një komunikate të përbashkët kanë reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Tregtisë për pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë ku konfrimohet pezullimi i licencës së Klan Kosova.

Në reagim thuhet se një vendim i tillë është jopropocional e që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë. QUINT, potencon se heqja e licencës së çdo media është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces të drejtë dhe transparent ligjor për zgjidhjen e situates”, thuhet në komunikatën e QUINT

 

Edhe, misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK ka reaguar pas refuzimit të ankesës së Klan Kosovës nga ana e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës për pezullim të certifikatës së biznesit.

Shefja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka thënë se kjo është një goditje për mediat e pavarura të Kosovës, raporton Klan Kosova.

“Kjo është një goditje e veçantë për mediat e pavarura të Kosovës, duke shkaktuar shqetësime serioze për liritë e mediave”, ka thënë Ziadeh.

Organizata Reporterët pa Kufij ka reaguar pas vendimit të MINT-it për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit.

Reporterët pa Kufij tha se pluralizmi i informacioni po kërcënohet rëndë me refuzimin e ankesës më të madhe në vend.

“Kosovë: pluralizmi i informacionit kërcënohet rëndë me refuzimin e ankesës nga media më e madhe private në vend, Klan Kosova! Duke e lënë në fuqi pezullimin e certifikatës së saj të biznesit, qeveria e Albin Kurtit po e shtyn atë drejt mbylljes. Ky vendim duhet të tërhiqet”, thuhet në reagim.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur brengën lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur Klan Kosovën. “Shumë shqetësuese. Mbyllja e një prej medieve më të mëdha në Kosovës do të ishte një goditje e rëndë për lirinë e medieve”, ka thekuar Rohde.

Qendra Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias ka reaguar ndaj vendimit të MINT-it për të refuzuar ankesën e Klan Kosovës në ARBK në lidhje me certifikatën e biznesit.

Vendimi i sotëm, sipas kësaj organizate, është “i paprecedent” në historinë e re të Kosovës. Aty i bëhet thirrje Klan Kosovës që të luftojë kundër vendimit para gjykatave kompetente.

“Kjo është e paprecedentë në historinë e re të Kosovës dhe rrezikon seriozisht pluralizmin, lirinë e mediave dhe dërgon një mesazh të qartë për mediat tjera. I bëjmë thirrje Klan Kosovës që të luftojë kundër vendimit para gjykatave kombëtare”, thuhet në reagimin e kësaj organizate në Twitter.

Organizata në fjalë thotë se është e tmerruar me vendimin e MINT-it.

“Jemi të tmerruar që mësuam se Ministria e Tregtisë në Kosovë ka përfunduar sot të gjithë hapat e nevojshëm për mbylljen e medias më të madhe private në vend, Klan Kosova”, ka thënë Qendra Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias në një reagim në Twitter.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, vendimin e sotëm të MINT-it për të refuzuar ankesën e Klan Kosovës në ARBK, e ka quajtur “ditë të zezë të censurës shtetërore”.

“Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën”, thotë Gutierrez në një postim në Tëitter. Ai thotë se “qeveria më në fund ia doli që ta mbyllë Klan Kosovën”.

“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në iliberalizmin më konservator, me përçmimin më të madh të vlerave të BE-së”, tha Gutierrez.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të ARBK-së për refuzimin e ankesës së pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Krasniqi tha se vendimi i qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës.

“Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë. Mos e mbyllni Klan Kosovën. Diktatura nuk kalon”, tha Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë.

“Është sulm i paranojës propagandistike ndaj vet demokracisë. Ky pushtet do krizë. Ky pushtet do frikë. Në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku ka ftuar organet e drejtësisë që ta bëjnë punën e vet dh eta mbrojnë demokracinë.

Edhe  kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të MINT-it për refuzimin e ankesës së pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës. Ai ka theksuar se nuk mbyllen mediat në një vend evropian, teksa shtoi se “nuk jemi Kore e Veriut”.

“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet! Dil kërkoju falje popullit e gazetarëve të Klan Kosovës e ruaje pak fytyrë”, ka theksuar Haradinaj.

Kundër këtij vendimi kanë dal edhe gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.


MË SHUME NGA Lajme