Rama: Qëllimi final është unifikimi i doganave
BKT
Foto: RTSH
Shqipëri

Rama: Qëllimi final është unifikimi i doganave

RTSH

Ndërsa e konsideroi si mjaft të rëndësishëm programin e ri kufitar "Një ndalesë - Një kontroll" në Qafë Thanë-Qafasan, Kryeministri Edi Rama shprehu synimin për unifikimin e doganave.

Kreu i qeverisë shqiptare në një takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Qafë Thanë, u shpreh se qëllimi final për unifikimin e doganave duhej të arrihej me integrimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian, por kjo nuk duhet të bëhet pengesë për avancimin e idesë.

“Ky është një projekt mjaft i rëndësishëm, por qëllimi final është unifikimi i doganave. Natyrisht do vijë me integrimin e plotë të dy republikave në BE. Por ne nuk kemi pse presim BE për ta avancuar si ide”, tha Rama.

Ky i fundit u shpreh se kontrolli i përbashkët kufitar Shqipëri-Maqedoni e Veriut, do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave tregtare. Po ashtu, sipas Ramës, ky projekt i jep shtysë shkëmbimeve tregtare, zhvillimit të marrëdhënieve të dy vendeve  dhe zhvillimin e turizmit.

“Sot është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që kalojnë nga kjo pikë kufitare, qofshin individë apo kompani që shkëmbejnë mes dy vendeve.

Më në fund, jua lehtësojmë kalimin në këtë pikë dhe i japim shtysë të mëtejshme shkëmbimeve tregtare dhe  zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi, pa harruar dhe zhvillimin e turizmit.

Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj dhe si asnjë vit më parë fluksi i turistëve por edhe numri i investitorëve të mëdhenj ndërkombëtar të interesuar për të investuar në industrinë e turizmit në Shqipëri, së bashku me shqip0tarët e diasporës dhe ata që jetojnë në Shqipëri, është tejet inkurajues.

Zhvillimi mëtejshëm dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit dhe rritja e dëshiruar e sektorëve të tjerë të prodhimit, kërkojnë një qasje komplekse.

Pjesa e patjetërsueshme e kësaj qasje është pikërisht transformimi në funksion të lehtësimit i kalimit të kufijve. Me kryeministrin kemi folur vijimësisht për këtë dhe kemi parë në vetë të parë se si nga e thëna në të bërë është një det i tërë, sepse ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e të shkuarës dhe nga paragjykimi për liberalizimin e lëvizjes”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri me dije se në gjysmën e parë të këtij viti, në këtë pikë kufitare, kanë lëvizur lëvizur më shumë se 770 mijë shtetas dhe mbi 352 mijë automjete.

“Është një fluks i konsiderueshëm dhe një procedurë e thjeshtuar me vetëm 1 ndalesë pasi në një vend janë të dy përfaqësuesit e agjencive tona ligjzbatuese, është ajo që nevojitet. Shpresoj që të dyja ministritë e Brendshme do kalojnë në një tjetër nivel, në këtë periudhë piku të sezonit dhe në të gjitha sezonet e tjera verore, për të bërë kalimin pa kontroll, apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave të targuara Republika e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të lehtësuar qarkullimin dhe të mos e kenë rrugës këtë lloj ndalese që prodhon stres, humbje kohe dhe mërzi”, përfundoi Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se qarkullimi i njerëzve dhe kapitalit rrit lidhjet mes dy vendeve, ndërsa u ndal edhe te Korridori 8-të.

Kovaçevski tha se ky projekt madhor do të bëhet realitet brenda 5 vitesh, ndërsa tashmë është vendosur në hartën e korridoreve transeuropiane.

“Rezultati i këtij bashkëpunimi është faktoi që sot jemi në Qafë-Thanë ku shënojmë fillimin e “one stop shop-it”. Sot mundësojmë qarkullimin më të shpejtë të qytetarëve tanë dhe të kompanive që transportojnë produkte në kalimin kufitar më të madh mes dy shteteve. Qarkullimi i njerëzve dhe kapitalit rrit lidhjet dhe komunikimet mes njerëzve, shoqërimin mes njerëzve të dy shteteve, diçka që para dy shekujve mungonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sot ne jemi shembull sesi duhet të jenë marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje. Mundësojmë qasje më të lehtë në vendet turistike në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Sot shënojmë fillimin e “one stop shop”, por bëhet edhe Korridori 8 në anën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të bëhet realitet brenda 5 vitesh. Ajo nuk ekzistonte, ndërsa tani për 5 vite do të kemi infrastrukturën më të mirë në Ballkan. Arritëm që Korridorin 8 ta vendosim në hartën e korridoreve transeuropiane që do të thotë se ky Korridor mund të ketë financim nga BE”, tha Kovaçevski.

Korridori i 8-të është një aks komunikacioni nga Shqipëria përmes Maqedonisë së Veriut për në Bullgari, që do të krijojë lidhjen me perëndimin ndërmjet shteteve të Ballkanit.


MË SHUME NGA Shqipëri