Komuniteti i biznesit: Pezullimi i licencave sjell pasiguri
Majlinda Doda /RTK-Radio
Pezullimin e licencave të disa bizneseve nga ana e Ministrisë së Tregtisë me arsyetim se janë të regjistruara në mënyrë antikushtetuese, ekonomistët e vlerësojnë si një pasiguri më shumë te bizneset gjithëpërfshirëse. Ata theksojnë se nuk është faji i bizneseve që janë të regjistruara me mbishkrime të qyteteve në gjuhën serbe. Përgjegjësja e vetme është Agjencia për Regjistrim të Bizneseve që ka lëshuar licencë nëse ka qenë në kundërshtim me dispozitën ligjore, thonë ata.
Kosova ka kaluar në faza të ndryshme të tranzicionit, përfshirë këtu edhe procedurat administrative për bizneset. Duke folur për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, thotë se situata me bizneset që theksohet se janë të regjistruara në mënyrë antikushtetuese, janë çështje administrative.
Sipas tij, nëse një biznes nuk do t’i kishte plotësuar kushtet, atëherë ARBK do të duhej që ta kthente mbrapsht deri në kompletimin e plotë të dokumentacionit, në bazë të dispozitave ligjore.
“Qëllim i bizneseve të tilla, nuk ka qenë shmangia e tatimeve apo ndonjë arsye tjetër. Ato më shumë janë lëshime teknike, për shkak të emërtimit apo diçka tjetër, por që ligji i procedurës administrative ta lejon në çdo kohë që ato të përmirësohen. Kjo që po ndodh tani nuk është mirë, sepse po krijojnë një pasiguri te bizneset, sepse nesër mund të vijë në pushtet një ministër tjetër dhe thotë se nuk je në rregull me dokumentacion dhe je i dënuar. Nëse një biznes aplikon dhe konstaton ARBK-ja se i ka plotësuar kushtet, atëherë ku është faji që pas kaq vitesh, nuk je në rregull me dokumente”, tha ai.
Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve është e shqetësuar për situatën e krijuar. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, duke folur për Radio Kosovën thotë se në vitin 2000 pothuajse të gjithë kemi pasur dokumentacione jo të Kosovës, dhe disa kanë mbetur në databazë të regjistruar ashtu e disa janë përmirësuar.
Ai thotë se derisa Qeveria e Kosovës i ka pranuar ato dokumente dhe u ka dhënë certifikata, nuk ka vend për marrje të licencës.
“Nëse a ka shkelur dikush Kushtetutën e ka shkelur vetë Agjencia për Regjistrimin e Biznese dhe Ministria e Tregtisë, dhe këta duhet të japin përgjegjësi pse një kohë kaq të gjatë i kanë lejuar këto biznese apo nuk e kanë përfillur vërejtjen për të ndryshuar dokumentacionin. Nuk pajtoj që t’u merret licenca për shkak se ata e kanë një emërtim në gjuhën serbe të qyteteve, sepse edhe gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë, duhet t’u jepet kohë dhe mundësi që ata t’i ndryshojnë dokumentet, dhe të zhvillojnë aktivitetin, por kurrsesi të mbyllen”, theksoi ai.
Ndryshe, ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se ARBK ua ka shfuqizuar certifikatën 5 bizneseve të cilat janë në mesin e 48 prej tyre që kanë emërtime antikushtetuese. Bizneset që u është shfuqizuar licenca, merren me blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor.























