Gjykata vendos burgim të përjetshëm për Krivaqën, Sejdiu dënohet 15 vjet
BKT
Foto/ RTKlive
Lajme

Gjykata vendos burgim të përjetshëm për Krivaqën, Sejdiu dënohet 15 vjet

RTKlive

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, kurse Arber Sejdiu e ka dënuar me 15 vjet burgim. Gjykata i ka liruar të dy në akuzën për veprën e dhunimit.

Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, ka deklaruar pas përfundimit të seancës, se synim i tij ka qenë dokumentimi i vrasjes mizore të së ndjerës. Ai ka paralajmëruar ankesë për lirimin e Dardan Krivaqës nga akuza për dhunim.

Rexhepi, ka thënë se nuk pajtohet edhe me dënimin për 15 vite burgim ndaj Arbër Sejdiut, të akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprave penale të vrasjes dhe dhunimit. Ai ka pohuar se vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në Kosovën e pasluftës.

Familjarët janë shprehur të kënaqur më dënimin për Dardan Krivaqën, por jo edhe për Arbër Sejdiun.

“Me Dardan Krivaqën jemi plotësisht të lumtur, me të dytin jo. Kuptohet 15 vite, 2 i ka mbajt, 5 vite ia heqin, qysh funksionon këtu te na sistemi, por, e presim na. Ishalla kemi ymër edhe 15 vite e drejtojmë këtë situatë”, ka deklaruar axha i Marigona Osmanit, Remzi Osmani.

Kurse, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelorë në Ferizaj, për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës. Kjo organizatë ka thënë se më në fund është sjellë pak drejtësi për Marigona Osmanin.

Protestohet në Ferizaj, kërkohet drejtësi për Marigona Osmanin

(E plotësuar, ora 10:30) Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar për të kërkuar drejtësi për Marigona Osmanin dhe ndëshkim maksimal për vrasësit e saj para Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Vrasja e Marigona Osmanit, sot shpallet aktgjykimi ndaj Krivaqës e Sejdiut

Sot do të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Seanca do të mbahet me fillim nga ora 11:00.

“Ju njoftojmë se të premten më 4 gusht 2023, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, ka njoftuar Gjykata Themelore e Ferizajt.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Më poshtë gjeni kronologjinë e rastit:

22 gusht 2021 – Marigona Osmani, 18-vjeçare, vdes. Dardan Krivaqa, i cili jetonte me Marigonën në bashkësi jashtëmartesore, si dhe Arbër Sejdiu, akuzohen se me dashje dhe në bashkëkryerje e vranë 18-vjeçaren në Ferizaj, në tentim për ta fshehur kryerjen e veprës penale dhunimi një ditë më parë.

14 korrik 2022 – Mbahet seanca fillestare e këtij rasti. Arbër Sejdiu deklarohet i pafajshëm, ndërsa Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje.

23 gusht 2022 – Avokatët e Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut kërkojnë hudhjen e aktakuzës.

2 shtator 2022 – Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut u konfirmohet aktakuza, pasi gjyqtari i rastit, Sahit Krasniqi, hedh poshtë kërkesën për hudhje të aktakuzës.

24 janar 2023 – Gjyqtari Sahit Krasniqi aprovon propozimin për ekzaminimin psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Raporti i Institutit të Forenzikës konstaton se Krivaqa nuk ka asnjë çrregullim apo sëmundje mendore psikotike.

6 korrik 2023 – Dardan Krivaqa sërish mbrohet në heshtje.

1 gusht 2023 – Jepen fjalët përfundimtare. Avokati i familjes së 18-vjeçares së vrarë kërkon dënim maksimal, ndërsa avokati i Krivaqës thotë se, kur të merret vendimi për dënimin, duhet të merret parasysh që “vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.

Avokati i palës së dëmtuar, familjes Osmani, Gazmend Rexhepi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve të shpallet dënimi kapital.

Sipas Kodit Penal te Kosovës, ky dënim më i rëndi që e njohin ligjet e Kosovës është ai me burgim të përjetshëm.

Ndërkohë familja e 18-vjeçares Marigona Osmani pritet të kërkojë dëmshperblim dhe do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje pasurore juridike pas përfundimit të këtij gjyqi.

Sipas të dëmtuarve, vrasja e Marigona Osmanit është më e rënda nga paslufta dhe është ende më mizore se sa që është paraqitur në aktakuzë.


MË SHUME NGA Lajme