Ballkani njofton largimin e Rrahmanit
Uran Krasniqi/RTKLive
Ballkani ka njoftuar për largimin nga skuadra të sulmuesit, Albion Rrahmani. Përmes një postimi në Facebook, kampioni aktual ka vlerësuar se kontributi i futbollistit për suksesin e skuadrës ishte i madh.
"Lamtumirat janë sa të dhimbshme, aq edhe të hidhura. Andaj sot ty kampioni ynë, foleja jote e përhershme, të thotë thjeshtë MIRUPAFSHIM! Çdo gol që ke shënuar, do të mbetet në zemrat e secilit tifoz të FC Ballkanit, në zemrat e secilit prej nesh. Çdo minutë që ke djersitur me vetëmohim fanellën e klubit, do të ruhet në kujtesën e pa shlyeshme, sepse kontributi yt ishte vlerë e madhe për rrugëtimin tonë të përbashkët. Ndarjet janë të vështira, por kur ato bëhen për të nisur një rrugë të re, me perspektivë për të ardhmën e një futbollisti të këtij vendi, të gjithë bëhemi bashkë, në përkrahje të mundësive të reja të kampionëve tanë. Faleminderit për angazhimin shembull në çdo ndeshje e në çdo rrethanë. Ti nuk e ke kursyer vetën asnjë çast, madje as atëherë kur ke ndjerë dhimbje në trupin tënd, ti ishe gjithmonë i gatshëm për t'i ndihmuar shokëve të skuadrës, në synimet drejt sukseseve tona, duke nderuar vetën, klubin dhe qytetin tonë", ka shkruar klubi suharekas.
"Ne jemi të bindur që karrierë e pasur të pret para, andaj të dëshirojmë sukseset më të mëdha të mundshme, kurse derën e familjes së madhe të FC Ballkanit, do ta kesh të hapur përjetësisht. Mirupafshim Albion Rrahmani, ti o kampion i Republikës".
Ballkani nuk e ka përmendur, por sipas disa përfoljeve futbollisti karrierën do ta vazhdojë në Rumani, te Rapidi i Bukureshtit.























