Baraliu për zgjedhjet me peticion: 20% s`arrihet pa pjesëmarrjen e serbëve
M.P. / RTKlive
Njohësi i rrethanave politike në vend, profesori universitar Mazllum Baraliu në magazinën “Info Plus” në RTK, ka folur për dy variantet e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme në veri të vendit.
Janë dy mundësi për të shkuar në zgjedhje, përpilimi i një peticioni nga qytetarët, të cilët do ta kërkonin shkarkimin e kryetarëve aktual dhe varianti tjetër e që është më i lehtë dhe më i shpejtë, dorëheqja e kryetarëve aktual.
“Ligji thotë se një kërkesë e qytetarëve të cilët paraqesin të paktën 20% të elektoratit të atyre komunave. Mund të bëhet kërkesa te kryesuesi i asamblesë komunale dhe pastaj ata vazhdojnë me procedura. Qeveria ka iniciuar hartimin e një udhëzimin administrativ, që të mund të punonte më detajisht procedurat përkatëse. Brenda një muaji, Ministria e Pushtetit Lokal do të bëjë një rregullore të tillë dhe pasi kjo të bëhet do të nisin përgatitjet”, u shpreh ai.
Baraliu ka thënë se është ende pikëpyetje e madhe nëse do të marrin pjesë në zgjedhje qytetarët serb në Kosovë. Ndërkaq, sipas tij, përqindja prej 20%, që është kriter parësor për hartimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve, nuk mund të arrihet në veri të vendit vetëm me pjesën e mbetur të shqiptarëve atje.
“Ai trup elektoral prej 20 përqind duhet të jetë i të gjithëve, por vetëm shqiptarët me komunitetet tjera nuk mund ta arrijnë atë 20 përqindësh”, ka thënë Baraliu.
Ai tutje ka kritikuar faktin se askush nuk shqetësohet me shpërnguljen masive të shqiptarëve nga veriu.
“Fatkeqësisht atje janë të shpërngulur mbi 20 mijë njerëz nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe gjithandej në atë pjesë dhe ende nuk merret askush me ta. Askush s’e përmend faktin tragjik të tyre që kanë mbetur me banesa e shtëpi të uzurpuara”, ka thënë ai në RTK.
Baraliu përmendi tutje se Beogradi s’ka dhënë asnjë shenjë për pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhje deri më tani.























