Rinia e PDK-së proteston para Qeverisë
Edona Podvorica / RTK
Rinia Demokratike e Kosovës, para objektit të Qeverisë mbajti aksion në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Me pankarta “Mbi 100 mijë të rinj kanë emigruar për dy vjet”, “ Kryeministër a je tu e pa, rinia po ikë”, Çmimet e larta i përballon vetëm qeveria jo edhe rinia”, në ritmin e këngës së ikonës së muzikës pop Michael Jackson, ata kanë qëndruar në radhë para objektit qeveritar.
Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu ka thënë se rinia e Kosovës nuk mund të festojë, por të protestojë.
Sipas Salihut kjo qeveri nuk e ka prioritet rininë. “Vetëm në dy vitet e fundit janë larguar rreth 100 mijë të rijnë nga Kosova. Të rinjtë në Kosovë, çdo ditë po ballafaqohen me kosto të lartë të jetesës, mungesë të infrastrukturës së nevojshme për të zhvilluar veprimtaritë e tyre, mungesë të vendeve të reja të punës etj”, ka thënë Salihu.























