Zyrtarët grekë në protestën për Belerin, Rama: Shfaqje surreale
BKT
Shqipëri

Zyrtarët grekë në protestën për Belerin, Rama: Shfaqje surreale

Respektimi i ligjit në Shqipëri është kërkesa e kryeministrit Edi Rama për zyrtarët grekë, të cilët kanë protestuar kundër arrestimit të Fredi Belerit, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës.

Kreu i qeverisë shqiptare i ka dhënë përgjigje pretendimeve të Greqisë mbi çështjen “Beleri” dhe akuzave të tyre për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtat për pronën, duke i konsideruara ta pabazuara në fakte konkrete.

Sipas Ramës, çështja e pronave të minoritetet greke nuk ndryshon nga problemi tërësor i trashëguar i Shqipërisë me pronat e të gjithë qytetarëve, problematikë që, siç thekson kryeministri, do trajtohet vijimësisht.

“Në këto terma dhe me bindjen edhe mbi “lidhjen e kësaj çështjeje me respektin e përgjithshëm për të drejtat themelore apo çështjen e mbetur pezull të pronave të minoritetit grek në zonën e bashkisë në fjalë, si edhe me akuzat për shkelje të kufijve të tyre nga ana e shtetit”, siç shkruhej në letrën e zotit Schinas, u zhvillua dje një protestë e organizuar nga politikanë grekë në qendër të Himarës!  (Ç’është e vërteta kjo bindje e miqve grekë nuk bazohet në as edhe një fakt konkret, që do të mund të provonte se në Shqipëri ka vërtetë një problem specifik të drejtash apo pronash për minoritetin grek, i cili ndryshon nga problemi tërësor i trashëguar i Shqipërisë me pronat e gjithë qytetarëve shqiptarë, çka edhe e kemi trajtuar e do ta trajtojmë vijimësisht me respekt, me durim dhe me gjuhën e fakteve me Athinën zyrtare)”, shkruan Rama. 

Ndalur te prania e kreut të Bashkisë së Athinës dhe atij të Selanikut te protesta e zhvilluar dje (14 gusht) në Himarë për lirimin e Belerit, Rama shkruan se një rast i tillë, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Kryeministri thekson se kombësia greke nuk mund t’i japi një qytetari shqiptar të akuzuar nga SPAK-u, një status të ndryshëm nga të tjerë shqiptarë të arrestuar me të njëjtat akuza dhe që sot janë në burg.

“Po kush dhe si mund ta lirojë sot nga burgu një qytetar shqiptar me kombësi greke, i cili si kandidat për kryetar bashkie, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, se ka kryer krimin e blerjes së votave - për të cilin Kodi Penal i Shqipërisë është i qartë dhe drastik - ndërsa sipas vendimit të pandryshuar në të treja shkallët e gjykimit, nuk mund ta lerë paraburgimin deri në fund të procesit gjyqësor ndaj tij?!

Vallë kombësia greke i jep qytetarit shqiptar të akuzuar nga SPAK-u dhe mbajtur në paraburgim nga gjykatat e vendit, një status të ndryshëm nga 48 qytetarë të tjerë shqiptarë me kombësi shqiptare, ndër të cilët edhe disa kryebashkiakë të partisë time, që sot janë të paraburgosur nën akuzat e të njëjtit organ, me vendime identike të të njëjtave gjykata?!”, deklaron Rama.

Reagimet e shtetit fqinj mbi rastin e Belerit, Rama i konsideron “shfaqje surreale” dhe politizim të një çështje të drejtësisë shqiptare. Ai shprehet i keqardhur që një çështje e tillë, që po trajtohet nga drejtësia për akuzën e krimit elektoral, është paraqitur nga Greqia si çështje e të drejtave të minoritetit grek.

“Por s’kam se si e fsheh edhe keqardhjen e madhe, përballë shfaqjes surreale të ndërhyrjes së palës greke në një çështje të drejtësisë shqiptare, deri në pikën që deklaratat nga Athina dhe përçapjet e miqve tanë grekë në Bruksel, për ta paraqitur këtë çështje të trajtuar gjermëtash nga drejtësia për akuzën e krimit elektoral, si një çështje të të drejtave të minoritetit grek, përshkallëzohen me një protestë të kësaj natyre, të pashoqe në historinë e Europës - të paktën në dijeninë time!”, shkruan Rama mes të tjerash.

 


MË SHUME NGA Shqipëri