Balla: Janë goditur disa rrjete shpërndarësish lëndësh narkotike
Sh.Gashi/RTKlive
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale falenderon Policinë e Shtetit për goditjen dhe vënien para drejtësisë së një rrjeti trafikantësh nga Kosova në Shqipëri dhe sekuestrimin e një sasie shumë të madhe dozash lëndësh narkotike si dhe thekson se kjo betejë është e vështirë por jo e pamundur.
"Suksesi i operacionit të radhës të Policisë së Shtetit në goditjen e një rrjeti trafikantësh nga Kosova në Shqipëri dhe sekuestrimi i një sasie shumë të madhe dozash/tabletash të një lloj droge nxjerr në pah dhe nevojën e një lufte edhe më të ashpër ndaj këtij fenomeni", tha ai.
Sipas tij kjo është një betejë dhe një sfidë për policinë e çdo vendi dhe disa mund të thonë se është e vështirë, se edhe vendet e tjera e kanë këtë problem.
"Unë nuk mendoj kështu. Në javët e fundit janë goditur disa rrjete shpërndarësish lëndësh narkotike edhe pse duhen ndjekur fijet dhe duhet të shkohet tek “bosat” e tyre sa më shpejt" tha ai.























