Koncesioni i sterilizimit, arrestohen tetë zyrtarë në Tiranë
BKT
Shqipëri

Koncesioni i sterilizimit, arrestohen tetë zyrtarë në Tiranë

RTSH

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj është arrestuar me urdhër të GJKKO këtë të enjte (17 gusht), pas kërkesës së SPAK, pasi dyshohet i përfshirë në hetimet për koncesionin e sterilizimit. Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Ndaj Rrapajt rëndëon akuza e mashtrimit.

 

RTSH bën me dije se janë lëshuar edhe 7 urdhërarreste për zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë. Konkretisht janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie" Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshe juridike.

Detyrim paraqitje është caktuar për Shefin e Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, të cilët akuzohen për "Falsifikim dhe shpërdorim detyre".

Ish-zv.ministri Rjepaj është zyrtari i parë i dikasterit të Shëndetësisë që është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për koncesionet e ministrisë. Në vitin 2016 ai u pyet në lidhje me akuzat në cilësinë e personit në dijeni, pasi ka qenë kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Më 4 gusht u pyet në SPAK në lidhje me këtë koncesion edhe ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, ndërsa më parë ka dëshmuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Hetimet e Prokurorisë për koncesionet e check-up, hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale nisën që në fundvitin 2015.


MË SHUME NGA Shqipëri