Pas aksionit të policisë, opozita kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje
BKT
Lajme

Pas aksionit të policisë, opozita kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje

Sh.Ç/RTKlive

Eksponentë të partive politike opozitare kanë reaguar pas ndalimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe një biznesmen nën dyshime për dallavere me rezervat shtetërore. Ata janë ndaluar në një aksion të Policisë që është zhvilluar në tri lokacione.

Partia Demokratike e Kosovës, pas arrestimit të Ridvan Muharremit nën dyshimin për keqpërdorim të rezervave shtetërore, kërkon shkarkimin dhe hetimin edhe të Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Sekretari për Organizim dhe Zgjedhje në PDK, Betim Gjoshi, gjatë një kofnerence për media ka thënë se Ridvan Muharremi nuk është thjeshtë një sipërmarrës, por, përveç se mik i Kryeministrit, është personi përgjegjës, i cili me bekimin e Albin Kurtit dhe emërimin e Rozeta Hajdarit, është marrë me furnizimin e rezervave shtetërore të Kosovës.

“Ridvan Muharremi është personi i cili në emër të Kryeministrit dhe me lejen e tij, përveç se është marrë me biznese të ndryshme, edhe të armëve, ka kërkuar edhe gjetjen e katër dëshmitarëve katolikë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë.  Ridvan Muharremi, miku i Kryeministrit, si person i autorizuar nga Rozeta Hajdari jashtligjshëm sepse nuk i ka plotësuar kriteret, në emër të furnizmit me rezerva shtetërore, paratë e buxhetit të shtetit i ka dhënë ndërsa mallin nuk e ka marrë asnjëherë – duke i shkaktuar qindramijëra euro dëme vendit”, ka thënë Gjoshi.

Sipas tij, para se gjithash, përgjegjësia politike, publike por edhe penale, bie mbi Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Kryeministri Albin Kurti, urgjentisht, sot, menjëherë, duhet që ta shkarkojë nga detyra Ministren Hajdari, për t’i hapur rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa herë, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, ka thënë Gjoshi.

Mustafa: Arrestimet nuk mjaftojnë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa  ka thënë se arrestimet që janë zhvilluar nuk mjaftojnë dhe se duhet hetime, për siç ka shkruar ai, lidhjet kriminale të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Arrestimet nuk mjaftojnë. Duhen hetime të thella të aktiviteteve dhe lidhjeve kriminale të zyrtarëve më të lartë të VV-së, të cilët kjo parti i mbron publikisht! Shihet qartazi që nuk është çështje individësh por është sistematike”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai ka radhitur një numër zyrtarësh të LVV-së, që ka thënë se janë të përfshirë në raste të ndryshme.

“Rozeta Hajdari miliona euro për grurë e vaj që s’ka ardhë kurrë. Martin Berishaj pranon miliona euro nga Beogradi për tregti me energji. Nagip Krasniqi arrestohet për tenderë dhjetëra milionë euro në KEK. Faruk Mujka ish-nënkryetar i Mitrovicës arrestohet dhe i gjinden 60.000 euro cash në shtëpi. Hysen Muzliukaj ish-drejtor në Mitrovicë dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë i arrestuar për keqpërdorim të detyrës. Liridon Fandaj asamblist në Suharekë i arrestuar për vjedhje të subvencioneve të bujqësisë. Besnik Mujeci asamblist në Prishtinë i arrestuar për trafikim droge. Berat Lahu asamblist në Prishtinë i përfshirë në rastin Brezovica”, ka shkruar Mustafa.

Tahiri:  Do të duhej të shkarkohej ministrja Rozeta Hajdari

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka komentuar arrestimet e sotme lidhur me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Tahiri ka thënë se sot do të duhej të shkarkohej ministrja Rozeta Hajdari.

"Arrestimet e sotme vijnë si rezultat i punës së mediave dhe policisë së Kosovës. Andaj, në funksion të mundësimit të një hetimi të plotë dhe ku Qeveria nuk shihet si pengesë, po sot do të duhej të kishim shkarkim të ministres, Hajdari. Fundja, i gjithë ky rast i abuzimit me mjete shtetërore dhe me ligjin, asocohet me emrin dhe nënshkrimin e saj, përderisa sekseri për këtë skandal korruptiv u lidh drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit Kurtit", ka thënë Tahiri.


MË SHUME NGA Lajme