Kurti mbledhi ministrat, diskutuan për programin qeverisës
RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur të premten kabinetin qeveritar, për të diskutuar rreth projekteve dhe progresit në përmbushjen e planit strategjik të qeverisë. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, i cili mohoi se kjo mbledhje është thirrur për t‘i diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
Zëdhënësi i Qeverisë, ka thënë se në takimin qeveritar u diskutua mbi mbarëvajtjen e projekteve.
"Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim intern me kabinetin qeveritar, siç ishte planifikuar një javë më parë. Nuk ka të bëjë me zhvillimet e sotme. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës", ka thënë Përparim Kryeziu.
Të premten u arrestuan dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmen, për veprat, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.























