Shoqata e Prokurorëve i quan shpifje pretendimet e ministrit Murati
BKT
Lajme

Shoqata e Prokurorëve i quan shpifje pretendimet e ministrit Murati

Sh.Ç/RTKlive

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës, përmes një reagimi publik, ka shpreh indinjatën e thellë dhe shqetësimin në vazhdën e sulmeve dhe shpifjeve që po bëhen në adresë të prokurorëve.

"Sot (19/8/2023) në mesdite në rrjetin e tij  social  (i publikuar në portale) ministri Hekuran Murati ka bërë një postim duke përdorur gjuhë linçuese dhe shpifëse ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe në veçanti ndaj Prokurorit të Shtetit Milot Krasniqi duke e cilësuar se gjoja prokurori i rastit nuk ka bërë asnjë hap lidhur me rastin që ministri Murati e përmend në postimin e tij", thuhet në reagim.

Në reagim theksohez se "në këtë mënyrë i njëjti jo vetëm që shpif por njëkohësisht e vë në rrezik serioz hetimin në fazën në të cilën është, duke e marrë parasysh se epilogu i hetimeve merr kohë në grumbullimin, analizimin dhe vlerësimin e provave dhe fakteve, me qëllim të përfundimit me sukses të secilit rast".

Shoqata e Prokurorëve përmes reagimit, dënon fuqishëm gjuhën linçuese dhe stigmatizuese  të përdorur nga ministri Hekuran Murati dhe thekson se format e tilla të përdorimit të gjuhës nënçmuese,  stigmatizuese dhe mbi të gjitha shpifëse janë të papranueshme dhe të drejtuara jo vetëm ndaj dëmtimit të integritetit të prokurorit Krasniqi por edhe ndaj autoritetit tërësor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Shoqata e prokurorëve të Republikës së Kosovës ju bënë me dije të gjithëve pa dallim dhe një herit edhe ju siguron që secili prokuror që është i  dekretuar kryen punën e tij me nder, integritet dhe fisnikëri duke zhvilluar hetime të drejta të paanshme dhe në mënyre profesionale.

Shoqata e Prokurorëve, vlerëson se mbrojtja e pavarësisë dhe e autoritetit të prokurorëve është thelbësore dhe tejet e rëndësishme, andaj gjuha e tillë e përdorur është e pa tolerueshme dhe në kundërshtim me rregullat në një shoqëri moderne dhe demokratike.

"Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës jemi thellësisht të shqetësuar dhe një herit për të satën herë ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve me peshë në jetën politike, ekonomike, sociale të   përmbahen nga përdorimi i gjuhës ofenduese, nënçmuese, denigruese dhe shpifëse ndaj secilit prokuror", thuhet në reagim.


MË SHUME NGA Lajme