Pas vonesave Suhareka bëhet me shtëpi të Kulturës me 800 ulëse
BKT
Foto/RTK
Lajme

Pas vonesave Suhareka bëhet me shtëpi të Kulturës me 800 ulëse

Qendresa Duraku/ RTK

Vonesa në realizimin e punëve për të ndërtuar Shtëpinë e Kulturës në Suharekë, ka nervozuar banorët, por edhe udhëheqësit komunal e të cilët po thonë se zvarritjes së punëve u ka ardhur fundi pasi tashmë është nënshkruar kontrata dhe nga e hëna do të caktohen mbikëqyrësit e punimeve.

Ramadan Haxhiaj, tani veteran i arsimit, nga komuna e Suharekës përveç që ka punuar si mësimdhënës, është marrë edhe me jetën kulturore në komunën e Suharekës.

Ai thotë se në mungesë të sallave adekuate, aktivitetet kulturore të shoqatës për art “Elena Gjika” i mban në objektin e bibliotekës “Hajdin Berisha”.

"Kemi dy salla e Fellbaut edhe kjo salla që gjendemi këtu pran bibliotekës të Therandës, por këto kushte dhe këto salla, nuk i plotësojnë kushtet për komunën  e Therandës për aktivitete të gjithëmbarshme çfarë i duhet qytetarëve. Këto përurime të librave, aktivitete të imta që i mbajmë në këto salla ndoshta janë të mjaftueshme por për aktivitetet të përgjithshme nuk janë mjaftojnë  këto, andaj shtëpia e kulturës do t'i plotësonte të gjitha kriteret për manifestime të të gjitha llojeve që mbahen në këtë komunë", tha ai.

Haxhiaj kërkon që të përfundojnë sa më parë objekti i shtëpisë së kulturës i cili qe nisur nga viti 2018.

“Shtëpia e kulturës që ka nisur, që sa vite është bërë projekti, që sa vite ka filluar ndërtimi i saj, nuk di për rrjedhat e mëtejshme se cilat janë pengesat, por megjithatë edhe ne si qytetar, si komuna  dhe Qeveria e Kosovës, ka obligim që këtë objekt ta ndërroj sa më shpejt sepse i duhet komunës së Therandës", tha Haxhiaj.

Kurse kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj, megjithatë ka deklaruar se pritjeve për vazhdimin e punimeve u ka ardhur fundi.

"Ky objekt ka filluar së ndërtuar në fund të vitit të 2017-tës në fillim të 2018-tës, në atë kohë brenda vitit janë punët e vrazhda, mirëpo pastaj vazhdimisht kemi pasur ankesa në OSHP, d.m.th plot 4 vite. Tani ky problem është zgjidhur, tani para 10 dite është nënshkruar kontrata dhe se pritet të hënën zyrtarisht të caktohen menaxherët, mbikëqyrësit dhe të fillojnë punën kjo shtëpi e kulturës e cila i ka munguar shumë Suharekës", tha Muharremaj.

Ky objekt do të ketë amfiteatër do të ketë shumë kabinete, dhe do të ketë 800 ulëse. Mjetet për ndërtimin e këtij objekti janë destinuar nga Ministria e Kulturës.          


MË SHUME NGA Lajme