Si e ka parë Këshill i Prindërve njoftimin e sotëm të MASHTI-it, për libra
Sh.Gashi. /RTK
Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës në një intervistë për emisionin, “Lajmet e fundit” në RTK, ka folur për njoftimin e Ministrisë së Arsimit, se prindërve mund t’ju duhet t’i blejnë vetë librat e nxënësve se, ndërkaq MASHTI do t`ua rimbursojë koston.
“Ne si kryesi e Këshillit të Prindërve të Kosovës para një muaji kemi pasur një mbledhje me Ministren e Arsimit dhe njëra nga pikat që e kemi diskutuar aty ka qenë mundësia që të kemi shpërndarja falas e librave për nxënësit e nivelin nga klasa e 6 deri në klasën 9, për arsye se sipas udhëzimit administrative për këtë nivel parashihet që shpërndarja e librave të bëhet çdo dy vite”, tha ai.
Dragusha thotë se këshill i prindërve ka dhënë edhe arsyetim se pse nuk mund të përdoren librat për nivelin nga klasa 6 deri në klasën 9 posaçërisht ato që janë libra ushtrimor.
“Ne kemi dhënë arsyetimin tonë si Këshill i Prindërve se librat për nivelin nga klasa 6 deri në klasën 9 posaçërisht ato që janë libra ushtrimor nuk mund të jenë të përdorshme pasi që janë të plotësuara dhe për më tepër do ti shndërronte nxënësit në kopjues dhe do tua ulte kreativitetin”, tha Dragusha.
Sipas tij, për këtë qëllim kanë bërë edhe një shkresë zyrtare ministres, e cila thotë se u ka premtuar se do të shqyrtohet kërkesa e tyre me prioritet. Deri sa tha se për klasat e para deri në të e pestën kanë menduar se për këtë vit kjo punë është e kryer.
“Ndërsa sa i përket nivelit për klasat e para deri në të e pestën kemi menduar se për këtë vit kjo punë është e kryer, ndërsa sot pamë përmes mediave deklaratën ku po shikohet mundësia e rimbursimit të prindërve dhe jo shpërndaja e librave si vitet e më hershme”, u shpreh Dragusha.
Ndër të tjera, Dragusha shtoi se ata si kryesi e Këshillit të Prindërve kanë marr shumë telefonata dhe shumë mesazhe nga prindërit të cilët janë të shqetësuar për ndryshimin e kësaj metodologjie, veçmas për atë se a do të ketë mjaftueshëm libra në treg, a ka mjaftueshëm të shtypura dhe a do të jenë të gatshme për 1 shtator.
Ai po ashtu tha se kryesia e Këshillit të Prindërve kanë lënë një takim të mërkurën, që të shohim se si të veprojnë me këtë situate. Duke shpresuar që fillimi i vitit shkollorë të mos shtyhet.
“Ne jemi dëshmitarë se në vitin e kaluar procesi nuk ka filluar mësimi me 1 shtator po ashtu edhe në vitin paraprak, për çështjen e pandemisë dhe të gjithë ne i kemi parë pasojat që i kanë lënë tek fëmijët tanë. Shpresojmë dhe besojmë se mësimi do të fillojë me një shtator dhe me posedim të librave nga ministria”, tha Dragusha.























