Procesi i regjistrimit të popullsisë shtyhet për dy muaj, nis më 1 nëntor
BKT
Lajme

Procesi i regjistrimit të popullsisë shtyhet për dy muaj, nis më 1 nëntor

B. H. | RTKlive

Regjistrimi i popullsisë i paraparë të nisë më 1 shtator është shtyrë për dy muaj. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shtyrja e këtij procesi të rëndësishëm ndodh për shkak të rezistencës së Asociacionit të Komunave të Kosovës brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit.

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda komisionit qendror të regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit. Për këtë propozoj që të plotësojmë ndryshojmë datën e fillimit të regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi do të bëhet duke filluar nga data 1 nëntor ”, ka thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit ka akuzuar ish-qeveritë e mëparshme se në vitin 2011 ka kryer regjistrimin e popullsisë “vetëm me memorandum bashkëpunimi me një organizatë ndërkombëtare”.

“Me miratimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave kemi nisur një proces tejet të rëndësishëm për politikbërie në segmente e fusha të caktuara të cilat prekin përditshmërinë e qytetarëve tanë. Një sërë aktivitetesh ishin të domosdoshme për t’u përgatitur për datën 1 shtator 2023, kur duhej të fillonte regjistrimi i popullsisë. Për një proces të madhësisë së këtillë, ndihma ishte e mirëseardhur. Me mbështetjen e UNOPS-it do të ndërmerrnim hapat e parë për sigurim të prokurimit të pajisjeve të domosdoshme për procesin. Por duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, ne nuk mund të trajtonim një bashkëpunim të tillë ndryshe veçse si marrëveshje ndërkombëtare, për dallim nga Qeveritë e kaluara të cilat në vitin 2011 për qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilës ia transferuan miliona euro për qëllim prokurimi, e bënë me një memorandum të thjeshtë bashkëpunimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me qeverinë tonë nuk bëhej”, ka thënë kryeministri.

Ai tutje ka thënë se duke pasur parasysh trajtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend së fundmi, e për të përshpejtuar procesin, prokurimi apo një pjesë e tij i është lënë në menaxhim Autoritetit Qendror të Prokurimit, organ ky që sipas tij e përfundoi me sukses obligimin e dhënë.


MË SHUME NGA Lajme