Shënohet Dita e Brigadës ‘121 Kumanova’
BKT
Foto: Arbresha Berisha/ RTK
Në Fokus

Shënohet Dita e Brigadës ‘121 Kumanova’

Arbresha Berisha/ RTK

Me moton “Të gjitha rrugët çojnë në Kleçkë”, në 25 vjetorin e rënies së dëshmorëve të UÇK-së dhe ditës së Brigadës 121 “Kumanova” në kompleksin e varrezave në Kleçkë po mbahet tubim përkujtimor. Përveç familjarëve të dëshmorëve, homazhe bënë edhe akterë politikë e qytetarë të shumtë.

Drejtuesi i veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku tha se në këtë përvjetor kujtohen përpjekjet e popullit shqiptarë në luftën për liri. Klinaku s’la pa përmendur as ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së të cilët sipas tij po gjykohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

“Në kohën kur i duheshin atdheut, djemë e vajza iu përgjigjën kushtrimit të komandantit legjendar, Adem Jashari. Në këtë përvjetor kujtojmë përpjekjet e popullit tonë në luftën për liri. Që nga përfundimi i luftës së UÇK-së, Kosova është përballur me shume sfida. Gjykata Speciale nuk po gjykon krimet që pushtuesit serb bëri ndaj civilëve. Ajo gjykon vetëm UÇK si organizatë. Edhe këtë përvjetor po e shënojmë pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Pjetës Shalën, Salih Mustafën, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Lavdi luftës së ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lavdi kombit”, tha ai.

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati tha se liria e Kosovës nuk është falur por është paguar shtrenjtë.

 “Sot të gjithë ju që keni ardh po respektoni te gjithë sakrificën e të gjithë dëshmorëve që 25 vite më parë kanë mbrojtur banorët e strehuar në këto malet. Liria e Kosovës nuk është falur por është paguar shumë shtrenjtë. Komandant Kumanova bashkë me shokët dhanë gjithçka çfarë mundën. Ne si qeverisje komunale do të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen e këtyre vlerave. Ju familjarë të dëshmorëve jeni gjithnjë krenar sepse gjaku i dëshmorëve është dhe i lirisë që ne sot e gëzojmë”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj tha se gjatë 24-25 dhe 26 gushtit UÇK-ja kishte marrë goditjen më të rëndë. Por, përkundër kësaj, ai u shpreh se nuk u dorëzuan, por vazhduan rrugën drejtë lirisë së shtetit.

“Më 24-25 dhe 26 gusht të vitit 1998 ky vend ishte në flakë. Ishte goditja më e madhe që forcat pushtuese serbe ia kishin bërë UÇK. Ishte një gjendje kaotike, e rëndë e vështirë për popullatën civile. Kishim me mijëra qytetarë,të strehuar në këto gryka. Në atë kohë pushtuesi serbë kishte depërtuar thellë në zonat e banimit. Pikërisht në këtë situatë mungonte çdo gjë, ushqimi, mjetet, shërbimet shëndetësore. Në këto rrethana UÇK mori goditjen më të rëndë. Pra ne kishim disa opsione, ta ndalim zjarrin e luftës apo ta vazhdojmë luftën. Na këto rrethana vendosëm që të mos vajtojmë po të heshtim fortë, atë zemërim e dhimbje ta mbajmë brenda nesh duke vazhduar rrugën drejtë lirisë. Nga ajo goditje UÇK doli shumë e fuqishme”, tha Limaj.


MË SHUME NGA Në Fokus