Korridori VIII, Rama: Porti i Durrësit do të jetë nyja lidhëse
N.M. /RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka inspektuar punimet në aksin Elbasan–Qafë-Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
Rama, në një postim në Facebook, shkruan se ky aks, së bashku me atë Durrës–Prishtinë–Nish, do i japin Portit të Ri tregtar të Durrësit rolin “strategjik” si nyjë lidhëse Lindje–Perëndim për lëvizjen e mallrave.
“Në kantierin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, që falë Samitit të BE në Tiranë hyri më në fund në korridoret europiane pas vitesh të tëra “luftë” dhe së bashku me aksin Durrës - Prishtinë - Nish do t’i japë përfundimisht Portit të Ri Tregtar të Durrësit rolin e shumëdëshiruar strategjik, si nyje lidhëse Lindje - Perëndim për lëvizjen e mallrave”, shkruan ai kryeministri Rama
Sipas tij, po punohet sipas grafikut të përcaktuar për këtë lot të rëndësishëm, i cili është në fazën e përgatitjes për hedhjen e shtresave të asfaltimit.
“Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve”, shkruan Rama në Facebook.























