Haradinaj: Qëndrojmë me Ukrainën në luftën e tyre të drejtë
BKT
Lajme

Haradinaj: Qëndrojmë me Ukrainën në luftën e tyre të drejtë

F.Sertolli / RTKlive

Me organizim të ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde në emër të shteteve të Quint-it, është shënuar Dita e Pavarësisë së Ukrainës me ç`rast të pranishëm ishin akterë të ndryshëm në vend, politikanë, diplomatë, pjesëtarë të shoqërisë civile si dhe gazetarë ukrainas që tanimë ka kohë që janë strehuar në Kosovë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ishte pjesë e këtij organizimi ka shkruar në Facebook, duke thënë se Kosova është rreshtuar krah shteteve të lira demokratike në mbështetje të popullit ukrainas, në luftën e tyre të drejtë mbrojtëse.

Po ashtu, i pari i AAK-së tha se, vendi ynë është kthyer në shtëpi të dytë për shumë gazetarë ukrainas.

“Kosova është rreshtuar krah shteteve të lira demokratike në mbështetje të popullit ukrainas, në luftën e tyre të drejtë mbrojtëse. Sot vendi ynë është kthyer në shtëpi të dytë për shumë gazetarë ukrainas, të cilët kanë gjetur mikpritje të ngrohtë në vendin tonë. Ata edhe sot vazhdojnë ta ushtrojnë punën e tyre informuese për popullin ukrainas si gazetarë, duke ndarë përvojën e jetës së tyre në Kosovë me bashkëvendësit e tyre”, tha ai.

“Ne si popull që përjetuam të njëjtin agresion, qëndrojmë me Ukrainën, me popullin e saj, të tashmen dhe të ardhmen e saj”, ka shkruar Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme