Kurti: Kosova ka ulur praninë e policisë në veri, se shpejti zgjedhjet
RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se edhe pse pesë shtetet e BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën, po punohet me to në aspektin bilateral.
“Ka hapa të vegjël dhe shpresojmë që të na njohin edhe ato shtete. Një mënyrë tjetër është që ato shtete skeptike t’i bindim me zhvillim dhe rezultat", tha Kurti në një panel të diskutimit, ku po marrin pjesë edhe liderë të rajonit, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në ‘Forumin Strategjik të Bledit-BSF 2023’, të Sllovenisë, raporton RTKlive.
Kurti ka folur për të arriturat e Kosovës, ku në shumë aspekte është më mirë se vendet e tjera e rajonit. Shefi i qeverisë tha se shpreson se Kosova, të jetë pjesë Këshillit të Evropës dhe partneritet me NATO-n.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se duhet shtensionimi në komunat e veriut. Ai tha se Kosova ka ulur praninë e policisë dhe së shpejti do të ketë zgjedhje të parakohshme në këto komuna.
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj deklaratës së homologes së tij serbe, Ana Brnabiq, e cila në panelin e mbajtur të hënën në Forumin Strategjik të Bledit, ka thënë se ekziston vetëm një shtet dhe jo dy, pasi sipas saj, Kosova nuk është e njohur ndërkombëtarisht.
Kurti ka thënë se normaliteti në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit dhe fantazisë.
Ai ka thënë se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm nëse zbatohen marrëveshjet për të cilat është rënë dakord.
“Përkrahja për BE-në në Kosovë është 94 për qind, në Serbi 35 për qind. Kemi vendosur sanksione kundër Rusisë, Serbia nuk po mendon për këtë. Nuk është distancuar nga Millosheviqi e as Putini. Nuk është e lehtë për ne. Dua të normalizoj marrëdhëniet dhe do ta bëja menjëherë. Normalizimi me Serbinë është më i vështirë, por mund të ndodhë. Duhet të zbatojmë Traktatin bazë që jemi dakorduar në Bruksel. Normalizimi në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit e fantazisë”, ka thënë ai.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e pyetur në panelin e diskutimit në Forumin Strategjik të Bledit për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se “është vetëm një shtet për të dhe nuk janë dy shtete.
"E ashtuquajtura Republikë e Kosovës nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht, nuk është anëtare e OKB-së. Po qartë dyshoj se do të bëhet pjesë e BE-së, derisa të ketë pesë shtete mosnjohëse. Normalizimi është në interes të Beogradit e Prishtinës, të serbëve dhe shqiptarëve, është në interes të gjithë rajonit, është qartë një gjë lartë në listën e prioriteteve tona”, ka thënë Bërnabiq.
Krahas kryeministrit Kurti, në këtë panel kanë marrin pjesë: Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.























