Konjufca: Serbia po e mban peng integrimin e rajonit në BE
Sh.Ç/RTKlive
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia po e mban peng sigurinë e rajonit dhe po krijon destabilizim për shtetet tjera.
“Serbia nuk është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe a po e shihni; rezultati është që vazhdimisht po shtyhet nga pesë vite procesi i integrimit. Domethënë bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë që me këtë Serbi e cila ka problem me të gjithë fqinjët e vetë, me secilin prej tyre, nuk mund të ketë integrime të shpejta, por për këtë duhet të identifikohet përgjegjësi, që është shteti i Serbisë”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari Konjufca ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta kuptojë politikën e Serbisë, me ç’rast ka thënë se ka probleme me gjithë fqinjët e saj. Sipas Konjufcës, me fajin e Serbisë është vonuar integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian.
“Mendoj që po të mos ishte i gjithë rajoni peng i Serbisë, e cila nuk është rehat me kufijtë e vet, dhe e cila i destabilizon edhe të gjitha shtetet e tjera, jo vetëm Kosovën por edhe Bosnjën edhe Malin e Zi. Unë mendoj se po të mos ishte kjo Serbi e tillë, rajoni do të hynte në BE në vitin 2025, nuk ka nevojë në vitin 2030 fare, por ajo e mban peng të gjithë procesin sepse më së pari e mban peng sigurinë e gjithë rajonit, pastaj dialogun për shkak të kësaj”, ka theksuar kryeparlamentari.























