Osmani: Synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, BE dhe KiE
BKT
Lajme

Osmani: Synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, BE dhe KiE

F.Sertolli / RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës.

E para e shtetit i ka cilësuar strategjike dhe ekzistenciale raportet me SHBA-në, teksa ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite, të cilën ai ia ka dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit.

Presidentja Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-së, thuhet në njoftimin e Presidencës pas këtij takimi.

“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar Osmani.

Në takim me kongresistin Tuner, Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Në raport me bashkëpunimin me SHBA-të, Presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë.  Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale.

Më tej, Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.


MË SHUME NGA Lajme