Burimi:Serbia gjithmonë do t’i përmbahet planit të saj, të sabotojë Kosovën
BKT
Lajme

Burimi:Serbia gjithmonë do t’i përmbahet planit të saj, të sabotojë Kosovën

E. Hoti / RTKlive

Profesori universitar në Paris, Genc Burimi, tha se fatkeqësisht nuk mund të priten zhvillime pozitive në rajon kur të kihet parasysh evolucioni i ligjërimit serb, që kohëve të fundit po bëhet gjithnjë e më agresiv në rajon. Ai thotë se Serbia do t’i përmbahet planit të saj, të sabotojë sa më shumë që të jetë e mundur zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.

“Një ligjërim serb që sot po bëhet agresiv edhe në Mal të Zi, ku Vuçiq kërkon, si në Bosnje e Hercegovinë, Republikë Serbe, të provokojë me manifestimet serbe kundër shtetit malazez dhe po ashtu kur keni parasysh edhe qëndrimin serb, në takimin e Bledit në Slloveni, ku ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pati një gjuhë shumë të ashpër ndaj shqiptarëve, duke thënë se shqiptarët sot dominojnë Ballkanin dhe po shkojnë drejt një Shqipëri të Madhe. Pra, ligjërimi serb sot nuk lë të shpresohet se mund të ketë një qetësim të situatës”, tha Burimi në “Lajmet e fundit” në RTK.

Sipas tij, Serbia gjithmonë do t’i përmbahet planit të saj, që është, të sabotojë sa më shumë që të jetë e mundur situatën në veri të Kosovës, me anë të një elementi të vetëm që është kërkesa për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Sigurish që zgjedhjet janë zgjidhje për ndërkombëtarët dhe për palën kosovare, por zgjedhjet nuk janë zgjidhje për palën serbe. Pala serbe vë një kusht, që është organizimi i Asociacionit të komunave serbe. Pra, mbajtja e zgjedhjeve sigurisht që është një element, por që janë serbët që do ta sabotojnë. Sot topi është në krahun serb e jo në krahun e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare thotë të bëjmë njëherë zgjedhjet dhe pastaj gjithçka me etapa, por e këtij mendimi nuk është pala serbe. Për të mos thënë pastaj, po ashtu siç u pa edhe në Bled të Sllovenisë, që Serbia vazhdon të provokojë duke mos e njohur pavarësinë  e Kosovës. Po shohim sot një ashpërsim të ligjërimit serb, por nga ana tjetër dhe një ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtarë, pra të SHBA -së dhe të evropianëve dhe mbase me Serbinë duhet t’i vijë fundi politikës së karotës dhe duhet parë nga kërbaçi”, tha Burimi.

Ai tha se presidentit francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se nëse nuk ka një politikë të përgjegjshme nga të dyja palët, atëherë Franca dhe Gjermania do të shikojnë politikën e vizave dhe të tjera elemente ekonomike.

Sipas tij, Macron në këtë rast kërcon më shumë serbët se kosovarët. “Për mendimin tim kjo është hera e parë që i bëhet Serbisë dhe kjo është frut i një lobimi të madh ndërkombëtar, ku pala amerikane dhe evropiane janë vënë sot në bankën e të akuzuarve përse kërcimet e tyre janë vënë ndaj Kosovës dhe jo ndaj  Serbisë”, tha Burimi.

Profesori universitar në Paris tha se Serbia nuk ka vullnet të bashkëpunojë për paqen në Ballkan.


MË SHUME NGA Lajme