Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme, arsyeja tekstet shkollore
M.P. / RTKlive
Deputetët e opozitës të cilët janë anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kanë iniciuar iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për të hënën. Arsyeja e thirrjes së seancës ka të bëjë, sipas tyre, me mungesën e furnizimit të mbi 200 mijë nxënësve me tekste shkollore.
“Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka njoftuar Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës.
Hoxha tutje e ka quajtur këtë rast si një prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie.
“Në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe t'i kthehet punës, e të diskutojë mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj”, ka shkruar Hoxha në Facebook.























