Lajçak: Po përgatitemi për takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel
B.H. | RTKlive
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen javore të aktiviteteve të tij ka folur për takimet që pati me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe për takimin e nivelit të lartë në Bruksel, që pritet të zhvillohet më 14 shtator.
”Në Bled jam takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Folëm për përgatitjet për takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator, me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të datës 3 qershor. Unë gjithashtu ngrita shqetësimet e mia për situatën në veri të Kosovës. Nga Bledi, fluturova për në Beograd, ku u takova me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Folëm në detaje për përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut. I kujtova të dy liderët se të gjitha marrëveshjet e dialogut mbeten të vlefshme dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet të zbatohen plotësisht pa asnjë kusht apo vonesë”, ka shkruar ndër të tjera Lajçak në një postim në Facebook.
Ai tutje ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë dhe se po përgatiten për takimin e liderëve Kurti-Vuçiq në Bruksel më 14 shtator për një raund tjetër bisedimesh në nivelin më të lartë.
Lajçak ka thënë se Bashkimi Evropian është i gatshëm të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor, por rajoni duhet të tregojë gatishmërinë e tij.























