Dështon debati parlamentar për tekstet shkollore, e bojkon pozita
BKT
Foto arkiv/Edona Podvorica/ RTK
Lajme

Dështon debati parlamentar për tekstet shkollore, e bojkon pozita

A.Bela / RTKlive

(E plotësuar, ora 12:50) Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë. Seanca e jashtëzakonshme u thirr nga partitë opozitare.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, tha se objektivisht nuk mund t mbahet seancë, pasi që pozita nuk po merr pjesë. Asnjë deputet i Vetëvendosjes nuk është në sallë, ndërsa nga kabineti, prezente është vetëm ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Pavarësisht kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u dha fjalën përfaqësuesve të partive, të pranishme në Kuvend.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka lënë nxënësit pa tekste mësimore, derisa tha se deputetët e pushtetit po i ikin ballafaqimit në Kuvend.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për këtë dështim e ku munguan deputetët e pushtetit, kreu i PDK-së tha se dy fillimvite shkollore Qeveria Kurti i ka filluar me kriza. “Vitin e kaluar i kanë fajësuar mësimdhënësit duke i quajtur të paaftë dhe po prodhojnë analfabetë funksionalë, e sivjet prindërve që ua rënduan jetën, ua kanë qitë një barrë të re, me shku nga poshtë e lart nëpër librari me i ble librat. A di me na tregu kjo ministre a ka interesa personale, financiare apo tjera që prej 4.8 milionë euro e ka bërë koston në 12.5 milionë euro për me iu dhënë pikërisht atyre që i kritikonte kinse – shtëpive botuese?", tha Krasniqi.

Kurse deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Qeveria Kurti e ka vrarë elementin e barazisë së nxënësve në shkolla, derisa ka shtruar pyetjen se “prej kujt po ikën Qeveria”. Sipas Bajramit, ka prindër që i kanë vizituar disa librari për t’i kompletuar librat e fëmijëve. Ajo tha se ka qytete që nuk kanë librari.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se Qeveria ka mungesë të guximit për t’u ballafaqur me vetveten.

 

 

Sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, diskutohet për tekstet shkollore

Kuvendi i Kosovës sot duke filluar nga ora 12:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.  Një gjë e tillë është konfirmuar nga faqja zyrtare e Kuvendit.

“Kuvendi mban debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”, njofton Kuvendi i Kosovës.

Ndryshe deputetët e opozitës, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, të premten e kanë iniciuar iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për 4 shtator, raporton RTKlive.

Arsyeja e thirrjes së seancës ka të bëjë, sipas tyre, me mungesën e furnizimit të mbi 200 mijë nxënësve me tekste shkollore.

“Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka njoftuar Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës.

Çështje e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, ka qenë temë debati ditët e fundit, për shkak se MASHTI ka vendosur të bëj subvencionimin e librave deri në 80 euro për nxënës.

Viteve të kaluara, sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, është bërë direkt nga qeveria e Kosovës përmes shtëpive botuese.


MË SHUME NGA Lajme