Kurti në 24 vjetorin e Policisë: Së bashku në luftën kundër krimit
M.Sh/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka uruar Policinë e Kosovës në 24 vjetorin e themelimit, duke garantuar mbështetje për forcat e rendit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai thotë, se vetë motoja “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” tregon më së miri përfaqësimin e Policisë së Kosovës.
“Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë”, deklaroi Kurti.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ai thotë se janë zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit e të qytetarëve.
“...Jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar kryeministri Kurti në rrjetin social Facebook.
Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, sipas Kurit, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët “ndërsa Republikën e Kosovës e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit”.
“Të gjithë zyrtarëve policor që sot janë në krye të detyrës në çdo cep të Republikës së Kosovës u uroj 24 vjetorin e themelimit të Policisë. Bashkë ndajmë sfida e suksese, bashkë do të ngritim e forcojmë edhe më shumë shtetin tonë”, deklaroi kryeministri Kurti.























