Këshilli i BE planifikon marrëveshjen e re Shqipëri–Frontex
rtsh.al
Këshilli i Bashkimit Europian ka vendosur të nënshkruajë një marrëveshje me Shqipërinë për aktivitetet operative të kryera nga Agjencia për Mbrojtjen e Kufijve dhe Brigjeve Europiane (Frontex).
Marrëveshja do të lejojë organizimin e operacioneve të përbashkëta dhe vendosjen e ekipeve Frontex për menaxhimin kufitar në Shqipëri.
"Krimet ndërkufitare dhe administrimi i emigracionit janë sfida të rëndësishme si për vendet e BE-së ashtu edhe për fqinjët tanë të afërt," tha ministri i Brendshëm në detyrë i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska Gomez.
Të martën, Agjencia e BE-së për Azilin njoftoi se numri i azilkërkuesve është rritur me 28 për qind në 519 mijë aplikime gjatë gjashtë muajve të parë të vitit nga viti i kaluar, duke e vështirësuar përpunimin e kaq shumë kërkesave.
Falë marrëveshjes, Frontex do të jetë në gjendje të ndihmojë Shqipërinë në administrimin e flukseve migratore, në luftën me emigracionin e paligjshëm dhe veprat kriminale ndërkufitare.
Që nga viti 2019, Frontex operon sipas një rregulloreje të re, e cila e mundëson të ndihmojë vendet me të cilat nënshkruan marrëveshje në të gjithë territorin e tyre dhe jo vetëm në rajonet në kufi me BE-në, siç veprohej më parë. Rregullorja gjithashtu lejon stafin e Frontex-it të ushtrojë kompetenca ekzekutive, siç janë kontrollet kufitare dhe regjistrimi i personave.
Marrëveshja e re zëvendëson akordin aktual midis Shqipërisë dhe Frontex, i cili hyri në fuqi në vitin 2019, para miratimit të rregullores së re të Agjencisë.
Frontex ka marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e kufijve me Serbinë (2020) sipas rregullave të vjetra dhe me Moldavinë (2022), Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi (të dyja në 2023) sipas rregullave të reja.
Parlamenti Europian do duhet të japë pëlqimin e vet për marrëveshjen para se të vendoset përfundimisht nga Këshilli.























