Boletini për veshjet, ‘është perceptim’, sindikata ia kërkon dorëheqjen
M.Sh/RTKlive
Një deklaratë e kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini ku kërkon raportime ditore për punëtorët e transmetuesit publik, e madje në citatet e sipër përmend edhe veshjet e punëtorëve (miniqa e pizhama), ka ngjallë reagime nga organizatat sindikale të RTK-së, duke i cilësuar deklarata e tij si seksiste. Madje kanë kërkuar nga Besnik Boletini të japë dorëheqje nga detyra e udhëheqësit të Bordit, derisa kanë përmendur edhe masa sindikale, greva e protesta.
Vetë Boletini ka reaguar të premten në mëngjes, duke e konsideruar këtë si propagandë manipuluese.
“Ajo që po citohet nuk është konstatim i imi, por prezantim i një perceptimi. Pra, konteksti ka qenë që perceptimi negativ ka shkuar deri në atë masë, sa që është krijuar edhe kjo përshtypje dhe e njëjta më thuhet edhe mua në ambientet tona të punës. Pra kam folur për një perceptim, që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje, e jo për mënyrën se si veshen, kur vijnë në punë. E çfarëdo kahje tjetër e diskutimeve të mia është një manipulim i qëllimshëm. Prandaj në mbledhje iu referova atyre zërave gjatë përshkrimit të situatës në mënyrën siç më ishte thënë edhe mua, duke elaboruar shqetësimin se deri ku shkon perceptimi dhe propaganda lidhur me evidentimin në punë.
Boletini: Ajo që po citohet nuk është konstatim i imi, por prezantim i një perceptimi
“Të enjten, një ditë pas mbledhjes së Bordit të RTK-së, është bërë një propagandë manipuluese lidhur me një diskutim që është bërë në këtë mbledhje. Derisa kemi diskutuar lidhur me raportimin e punës, kam diskutuar në mënyrë të hapur edhe lidhur me perceptimet që janë krijuar brenda dhe jashtë institucionit tonë e që i dëgjoj shpesh në ambientet tona të punës, se disa punonjës vijnë sa për të bërë hyrje-daljet”, thotë ai.
Boletini thotë se ka folur për një “perceptim që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje, e jo për mënyrën se si veshen kur vijnë në punë”.
Boletini thotë, tutje, se ka cituar diçka që është thënë, prandaj, sqaroi ai, çfarëdo kahje tjetër e diskutimeve “është manipulim i qëllimshëm“.
“Për informim korrekt, ajo çka kam thënë në diskutim e sipër gjatë debatit në një moment të caktuar në mbledhje është se - unë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë ‘check out’ dhe kjo është e papranueshme. Pra kam cituar diçka që më është thënë dhe e kam theksuar se është i papranueshëm si informacion në kuptimin e perceptimit që po më thuhet edhe mua në ambiente të punës”, ka deklaruar ai.
Në këtë reagim Boletini ka folur edhe për raportimet, siç thotë ai, mujor “për aktivitetet ditore të punës, të cilat kanë për qëllim vlerësimin e mundit të secilit punonjës”.
Në asnjë mënyrë, sipas tij, nuk do të ngarkohet puna e asnjërit, apo nuk po kërkohet angazhim shtesë.
“...nuk është ideja që të shikohet puna me “llupë”. Do të krijohet një platformë e thjeshtë dhe praktike. Pra, nuk kërkohet punë shtesë, aktivitet tjetër, por një përshkrim i thjeshtë i aktiviteteve të punës për diçka që është bërë, është tentuar të bëhet apo edhe nuk është bërë”, ka deklaruar Boletini rreth raportimit ditor të punës.
Reagojnë sindikatat, kërkojnë dorëheqjen e Boletinit, ka fyer 800 punëtorët e RTK-së
Pas deklaratës së Boletinit, kanë reaguar tri sindikatat që përfaqësojnë komunitetin e punëtorëve të RTK-së.
Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) e konsideron skandaloze deklaratën e Boletini për punëtorët e RTK-së, derisa përmend takimin e Bordit të RTK-së, mbajtur me datë 6 shtator 2023, në praninë e vëzhgueses së sindikatës, si dhe të gazetares së BIRN-it.
“Kryetari Besnik Boletini ka deklaruar: Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtorë në RTK, sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë ‘check out’ dhe kjo është e papranueshme. Kjo deklaratë e kryetarit të Mediumit të vetëm Publik në vend është fyerje për rreth 800 të punësuar të RTK-së”, thuhet në reagimin e SPRTK-së.
Sipas kësaj sindikate, ky është skandali i dytë brenda pak kohësh i kryetarit të Bordit, Besnik Boletini, në raport me të punësuarit e RTK-së.
“Gjatë procesit të konkursit për njërën prej pozitave udhëheqëse të RTK-së, kryetari Boletini e kishte thirrur në bisedë informative kandidaten, Ilire Zajmi, e cila kishte dalë e para ne listë, duke i thënë asaj se procesi i konkursit është i kontaminuar. Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, Sindikata kërkon nga kryetari, Besnik Boletini, që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit. Në të kundërtën ne, si sindikatë, do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën”, thuhet në reagimin e SPRTK-së.
Kjo sindikatë kërkon nga Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave, Agjencia për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit, KMDLNJ dhe OSBE që të reagojnë dhe ta dënojë “këtë gjuhë të ulët, denigruese të kryetarit të Bordit, Besnik Boletini ndaj punëtorëve të RTK-së”.
Edhe Sindikata e Punëtoreve e RTK-së (SPERTK) reagon ndaj këtyre deklaratave dhe kërkon nga Bordi i RTK-së që të ketë kujdes në përdorimin e gjuhës kur i drejtohet të punësuarve të RTK-së, sidomos termeve që mund të jenë dhe kuptohen si seksiste.
“Në RTK ka të punësuara gra, të cilat e kanë dëshmuar rolin e tyre të çmueshëm në dekada duke kontribuar edhe në zona të rrezikut nga terreni, por edhe shumë nga to kanë fituar edhe çmime ne fushën e gazetarisë. Ju rikujtojmë se në RTK ekziston kodi i veshjes dhe respektohet nga të gjithë të punësuarit, andaj është e papranueshme për Sindikatën komentimi i veshjeve të punonjësve në RTK. Ju rikujtojmë seërish se Sindikata do ta kundërshtojë me të gjitha mjetet kërkesën për raportim ditor të punësuarve, sepse nuk është praktikë e cila aplikohet nga asnjë TV publik. Duke pasur parasysh natyrën specifike të punës në RTK, është i panevojshëm raporti ditor”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.
Te gjitha raportet e punës nga të punësuarit në RTK, siç thuhet më tej, duhet të bëhen në baza mujore.
“E ritheksojmë forma e raportimit në baza ditore është presion për të gjithë të punësuarit në RTK dhe, si e tillë, është e papranueshme për punëtorët dhe sindikatën” thuhet në reagimin e SPERTK-së .
Reagon edhe sindikata e RTK-Radio: Bordi mos të merret me punët e menaxhmentit
Kundër deklaratave të Boletinit ka reaguar edhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës.
“Për Kryesuesin e Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës, mbetet shqetësuese edhe gjuha seksiste dhe denigruese e përdorur apo e përfolur nga kryetari i Bordit të RTK-së, kjo gjuhë e përdorur apo e përfolur nga kryetari, është skandaloze, e papranueshme, nga e cila do të duhej të distancoheshin të gjithë”, thuhet në reagim e sindikatës së Radio Kosovës.
Edhe kjo sindikatë që mbledh rreth vetes punëtorët e RTK-Radios, e kundërshton kërkesën e Bordit për raportime ditore për punëtorët.
“Kryesia e Shoqatës Sindikale te Radio Kosovës e ka pranuar me shqetësim kërkesën e fundit të Bordit të RTK-së, që secili punëtorë të përpilojë raport ditor të punës...konsiderojmë se Bordi i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nga menaxhmenti i RTK-së kërkojmë që të mos përfillet kjo kërkesë, sepse puna e secilit të punësuar në RTK është e dukshme dhe e matshme në të gjitha njësit programore”, thuhet në reagim.
Bordi i RTK-së, sipas Sindikatës së Radios, duhet të “ofrojë zgjidhje të qëndrueshme në sigurimin e pronës së RTK-së; rritjen e buxhetit të transmetuesit publik dhe krijimin e kushteve normale të punës për të gjithë të punësuarit”.























