Liderët e Ballkanit: Më shumë përpjekje për të ndalur ikjen e të rinjve
A.Sejda/M.Shefkiu/RTKlive
(E përditësuar, ora 14:15) Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, si nikoqirë të takimit të Procesit Brdo-Brione që është mbajtur në Shkup, kanë mbajtur një konferencë pas takimit.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski ka deklaruar se kjo është një ditë e rëndësishme për ta. Ai ka theksuar se Procesi Brdo-Brion është mekanizmi i vetëm për bashkëpunim në rajon në nivel të shteteve.
Sipas tij, me përpjekje të përbashkëta duhet të veprojmë që Ballkani Perëndimor të kthehet tërësisht në agjendën evropiane dhe të mbetet aty.
“Me koleget e mi biseduam edhe për sfidën më të madhe në rajon shpërngulja e te rinjve. Mesazhi ynë i përbashkët është që t’i dyfishojmë përpjekjet tona rajonale që të rinjtë të mbesin në rajon”, ka theksuar Pendarovski, duke bërë të ditur se kanë miratuar edhe një deklaratë të përbashkët.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se dialogu në mes të vendeve të rajonit është i rëndësishëm. Ai ka theksuar se atmosfera në këtë takim ka qenë më e mirë se në dy takimet e kaluara.
“U bisedua mbi tema që na bashkojnë. Kroacia dhe Sllovenia mund të ndihmojnë edhe më shumë se që mund të mendoni që kjo pjesë e Evropës të integrohet”, ka deklaruar Milanoviq.
Kurse, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar ka deklaruar se më tepër vëmendje i kanë kushtuar BE-së dhe se shteti i saj i mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
“Ramë dakord që probleme në këtë rrugë ka shumë ... kemi pasur edhe ne. Nuk ekziston një rrugë e lehtë ... Kam kënaqësinë e veçantë që Procesi i Brdo-Brione do të vazhdojë. Kemi dy kandidatë për organizim për vitin e ardhshëm”, ka theksuar presidentja e Sllovenisë.
Osmani: Kosova, rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke marrë pjesë në Procesin Bërdo-Brioni, i cili po mbahet në Maqedoninë e Veriut, më saktësisht në Shkup.
Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe presidentët e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar dhe të Kroacisë, Zoran Millanoviq, për mirëseardhjen e tyre.
Presidentja ka shtuar më tej se Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit.
“Falënderoj Presidentët Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit Bërdo-Brione. Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, ka deklaruar Osmani.
Procesi Brdo-Brione, bashkohen liderët e Ballkanit në Shkup
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe liderët tjerë ballkanik janë bashkuar të hënën Shkup në takimin vjetor në kuadër të Procesit të Brdo-Brione. Në sallën ku po mbahen takimi i përbashkët tashmë ka ardhur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, presidentja Osmani pritet të mbajë një fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.
Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.
Temat qendrore të takimit të sivjetëm janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.
Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.
Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.
Nikoqir i takimit të liderëve të vendeve pjesëmarrëse është presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërsa bashkëpritës janë edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç dhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar.























