Konjufca e takon Roth-in: Gjermania mike është aleat strategjik
BKT
Foto: Kuvendi i Kosovës
Lajme

Konjufca e takon Roth-in: Gjermania mike është aleat strategjik

V.Th. RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetin Michael Roth, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman.

Sipas njoftimit të kuvendit gjatë takimit u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, proceset integruese, mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave parlamentare, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. 

“Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje deputetit Roth për angazhimin dhe qëndrimet e tij parimore karshi zhvillimeve aktuale në rajonin tonë, si dhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t'i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit e të integrimit në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.. 

Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, Konjufca, sic thuhet në njoftim, theksoi se Gjermania mike është aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht ai ka shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë kundrejt proceseve të cilat i ka përpara shteti ynë. 

Tutje në njoftimin e Kuvendit thuhet se deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke rikonfirmuar mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme