Kryeministri Kurti vizitoi Shoqatën Humanitare dhe Bamirëse “Nëna Terezë”
F.Sertolli / RTKlive
Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për subvencionim të Organizatave Jo Qeveritare që ofrojnë shërbime sociale në 1.5 milion euro për këtë viti, ku nga kjo skemë kanë përfituar 41 OJQ, dhe njëra ndër to është edhe Shoqata “Nëna Tereza” me projektin rajonal “Pleqëri e dinjitetshme” në Komunën e Prizrenit.
Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kanë vizituar Shoqatën Humanitare dhe Bamirëse “Nëna Terezë” në Prishtinë, e cila është themeluar në vitin 1990 me qëllim të ofrimit të ndihmës për familjet në gjendje të rëndë ekonomike.
Në një njoftim për media nga Qeveria e Kosovës thuhet se përmes këtij projekti, të moshuarve u ofrohen shërbime sociale në shtëpitë e tyre. Grupet mobile me profesionistë të Shoqatës ofrojnë një numër të madh të shërbimeve sociale, përfshirë edhe disa shërbime bazike mjekësore.
Gjatë kësaj vizite, Drejtori Ekzekutiv, Zef Shala prezantoi punën dhe projektet e Shoqatës si dhe angazhimet e zyrave rajonale të saj.
Ndryshe, në me shumë se 30 vite, Shoqata “Nëna Tereze” është angazhuar në jetësimin e misionit të vetë Nënë Terezës, ndihmën dhe kujdesin ndaj të varfërve dhe atyre në nevojë, duke arritur kështu t’u ofrojnë shërbime të ndryshme sociale mijëra qytetarëve.























