Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, Soreka: BE partneritet me INSTAT
BKT
Shqipëri

Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, Soreka: BE partneritet me INSTAT

rtsh.al

Më 18 shtator do të nisë në Shqipëri regjistrimi i popullsisë, që do të zhvillohet nga INSTAT, në partneritet edhe me BE. Ambasadori në detyrë i BE në Shqipëri, Luixhi Soreka (Luigi Soreca) ka bërë me dije se Unioni ka mobilizuar 4.8 milionë euro grante për INSTAT.

Soreka theksoi se është me rëndësi që të ofrohet informacion i besueshëm duke e konsideruar Censin shumë të rëndësishëm edhe në kontekstin e negociatave për anëtarësim të vendit në BE.

“Kjo do të ketë një rëndësi shumë të madhe për të ofruar informacion të besueshëm. Shqipëria në rajon përballet me sfida specifike demografike ndaj është e rëndësishme të ketë informacion të besueshëm statistikisht për të zgjidhur probleme që kanë të bëjnë me strehimin dhe çështje sociale. Ky proces është mjaft i rëndësishëm edhe në kontekstin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. Në BE duhet ditur se sa vota anëtarësie ka një shtet në BE. Të dhënat e Censit janë pjesë e shumë aspekteve të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë. Është thelbësore që vendi të prodhojë të dhëna të Censit që përputhem me standardet e BE dhe kjo është arsyeja pse BE ka krijuar partneritet me INSTAT. Kemi mobilizuar 4.8 mln euro në grante për INSTAT dhe kemi patur mbështetje nga Suedia, Zvicra dhe OKB”, u shpreh Soreka.

Lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Soreka u shpreh se duhet që Unioni të marrë në konsideratë fushat ku vendet kandidate të bëhen anëtare para anëtarësimit të plotë.

“BE nuk ka nevojë të ndryshojë traktatin me qëllim që të zgjerohet dhe tani është momenti që të merren në konsideratë dhe të shihen ato fusha ku vendet kandidate mund të bëhen anëtare përpara anëtarësimit të plotë. Shqipëria mbërrin në këtë moment në një formë mjaft të mirë pas një procesi legjislativ mjaft të suksesshëm të përmbyllur muajin e kaluar”, deklaroi ai.


MË SHUME NGA Shqipëri