Nxënësit e Bardhit të Vogël po hasin në vështirësi për vajtje-ardhje |Video
Nxënësit e Bardhit të Vogël të Fushë Kosovës po hasin në vështirësi për transport për vajtje-ardhje nga shkolla në shtëpi.
Kjo për shkak se atyre komuna u kishte premtuar transport të rregullt pasi i ka transferuar në shkollën e Sllatinës, meqë shkolla në fshatin e tyre u mbyll për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Komuna thotë se ka gjetur zgjidhje të përkohshme, ndërsa nga janari premton se do ta zgjidhë këtë problem.
Këta prindër ankohen se po detyrohen t'i bartin fëmijët, ani pse komuna u kishte premtuar transport të rregullt për shkak të transferimit të tyre në shkollë tjetër.
“Na e kem një telashe me bartjen e fëmijëve shkollën e kanë mbyllë në Bardh të Vogël, edhe e kanë bërë premtimin që fëmijët kena me i bartë prej që është mbyllë shkolla në Bardh të Vogël, krejt këto telashe prej komunës i kemi. Premtimet i kanë ofruar, kanë thanë që do t'i transportojmë", tha Gëzim Krasniqi, prind.
“Tash na jemi të detyruar t'i bartim me automjete e qysh po mundemi me ia dalë, po duhet edhe punën me lanë, me marrë pauzë, për me ardhë me i dërgu fëmijët në shkollë”, tha Shemsedin Krasniqi, prind.
“Çdo rifillim të shkollës, kemi telashe me problemin me nxënës për transportin prej Bardhit të Vogël në Sllatinë. Arsyeja pse ne e kemi këtë problem është se kur është mbyllë shkolla na ka dhanë premtimin komuna që transporti i fëmijëve është i siguruar”, tha Muhamet Sfarça, prind.
Nga komuna i thanë RTK-së, se nuk është vetëm Bardhi i Vogël që e ka këtë problem, derisa theksuan se kanë gjetur një zgjidhje të përkohshme deri në fundvit.
“Është një problem që po përballën këta banorë e që nga dita e sotme do të jetë e shpallur një thirrje publike për subvencionim të prindërve, ku do të bëhet subvencionimi i këtyre nxënësve, prej një lokaliteti në tjetrin. Kjo thirrje do të jetë e hapur deri javën tjetër dhe do t'u mundësohet këtyre prindërve në mënyrë të organizuar nëpër shkolla”, tha për RTK-në Ali Topalli, zëdhënës i komunës së Fushë Kosovës.
Sipas Topallit, nga janari përmes formës së tenderimit, do të bëhet organizimi i transportit të fëmijëve.























