Krasniqi: Kurti pasi e ka kuptuar gabimin, ka vendosur të bëjë hapa mbrapa
BKT
Lajme

Krasniqi: Kurti pasi e ka kuptuar gabimin, ka vendosur të bëjë hapa mbrapa

F.Sertolli / RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar për zhvillimet e ditës së sotme në Bruksel.

“Atë që ia kemi thënë shumë herë Kryeministrit Kurti, ai tek sot e paska kuptuar. Me 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, Kryeministri Kurti ka pranuar një marrëveshje dhe një aneks të zbatimit të saj, përmes së cilave ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë, ndërsa ka vendosur asociacionin dhe autonominë politike për serbët në qendër të dialogut”, ka shkruar Krasniqi.

I pari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se Kurti vet e ka futur Kosovën në këtë situatë.

“Në këtë situatë – të qëndrimit refuzues si pasojë e pranimit paraprak, Kryeministri Kurti e ka futur veten vet. Askush nuk e ka detyruar të pranoj marrëveshjen dhe aneksin e saj të zbatimit, nëse ka qenë i bindur se ato janë të dëmshme”, Ka shkruar Krasniqi.

Madje sipas tij, pasi e ka kuptuar gabimin, Kurti ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa, derisa ka konsideruar se ky qëndrim do t’i kushtojë Kosovës.

“Tash, pasi e ka kuptuar se ka gabuar, ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa. Fatkeqësisht, ky ndryshim i qëndrimit nuk do t’i kushtojë atij, por Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj nuk i kanë borxh asgjë Kryeministrit Kurti – aq më pak sanksionet të cilat tashmë po i vuajmë dhe të tjera që janë paralajmëruar”, tha Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme