Nagip Krasniqi lirohet nga paraburgimi
B. H. | RTKlive
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është liruar nga paraburgimi. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
"Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me masën kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë”, thuhet në njoftimin e zëdhënëses së Gjykatës Themelore.
Nagip Krasniqi ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, më 19 prill, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’.























