Rama pas fitores ndaj Polonisë, lavdëron përzgjedhësin Silvinjo
rtsh
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në podcastin e tij të radhës ka bërë bashkë trajnerin e kombëtares shqiptare, brazilianin Silvinjo dhe zëvendësit e tij Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior.
Teksa kombëtarja ka bërë një paraqitje dinjitoze pas fitores 2 me 0 ndaj Polonisë duke u renditur në krye të grupit E për Eliminatoret e Evropianit 2024, kryeministri Rama ka vlerësuar punën e Silvinjos dhe zëvendësve të tij duke theksuar se puna e tyre nën trysni është një vlerë e shtuar për kombëtaren shqiptare.
“Mendoj që keni një punë shumë të rëndësishme psikologjike për të bërë, sepse presioni mbi djemtë rritet, pritshmëritë e të gjithëve shtohen dhe ne të gjithë shpresojmë shumë”, tha Rama në intervistën e tij.
“Keni pasur mundësinë të luani në nivelet më të larta ndërkombëtare, të jeni nën trysni gjatë gjithë kohës dhe ndoshta kjo është një vlerë e shtuar për kombëtaren, tani ju e dini si të ruani qetësinë në këto situata apo nuk është e lehtë që këtë t’ua përcillni djemve”, është shprehur Rama.
Nga ana e tij, Silvinjo ka thënë sekreti i gjithçkaje është kontakti me lojtarët duke iu qëndruar afër
“Jo, nuk është e lehtë, po ketë drejtë. Ne shkojmë aty të punojmë me të gjithë. Pjesë e rëndësishme e drejtimit është se ne nuk e humbasin kontaktin me lojtarin në këtë moment. Flasim me ta, shkojmë t’i shohim, jemi aty, praktikisht, iu qëndrojmë afër të gjithëve dhe kur vijnë sërish, e dinë tashmë çfarë do të gjejnë te ne në kuptimin e mesazhit, pra edhe kjo është një punë që e bëjmë, një punë që bëhet. Është e drejtë, përvoja është. Mendoj që ne kemi një përvojë të bukur në jetë”, u shpreh Silvinjo.
Ai shtoi se gjithë eksperiencën e tij kërkon t’ua transmetojë lojtarëve.
“Si ish-futbollistë mund t’ua përcjellim këtë vërtet atyre, të vihemi në anën tjetër, kjo mendoj dihet. Ajo çfarë shqetëson është që në kombëtare është gjithnjë e vështirë, pasi vijnë nga shumë skuadra, ndërsa ne jemi gjithnjë aty dhe ata e dinë si lojtarë se, përveç ndonjë dëmtimi, do i shohim sërish pas 30 ditësh dhe nëse gjërat shkojnë mirë me të gjithë, do të rinisim në tetor të gjithë së bashku”, ka theksuar ai.























