Inter e deklason Milanin
Uran Krasniqi / RTKLive
Derbi milanez ka marrë ngjyrat zi dhe kaltër. Inter e ka deklasuar Milanin në ndeshjen xhiros së katërt të Serie A.
Ndeshja është mbyllur me rezultat 5-1.
Qysh në minutën e pestë ziekaltërit e kanë gjetur golin përmes Mkhitaryan.
Ata nuk u ndalën me kaq, por në minutën e tridhjetë e tetë shënuan prapë. Autor i golit ishte Thuram pas një asisti nga Dumfries.
Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë.
Në pjesën e dytë është dukur se Milan do të rikthehet. Kjo pas golit të Leao në minutën e pesëdhjetë e tretë.
Por vetëm aq.
Inter ia ka dalë që të shënojë edhe tri herë të tjera dhe kësisoji të regjistrojë një fitore të madhe kundër rivalit të vjetër.
Golin e tretë e ka shënuar autori i golit të parë, Mkhitaryan. Ka qenë minuta e gjashtëdhjetë e nëntë kur armeni e ka finalizuar një top të pranuar nga Martinez.
Golin e katërt për Interin e ka realizuar Calhanoglu nga penalltia në minutën e shtatëdhjetë e nëntë.
Por as katër gola nuk i kanë mjaftuar skuadrës së trajnerit Simone Inzaghi. E ka realizuar edhe të pestin përmes Frattesi në kohën shtesë.
Pas kësaj fitore Inter kryeson tabelën me dymbëdhjetë pikë, dy më shumë se Juventus e tri më shumë se Milan.























