Gjykata e Posaçme e Apelit lë në burg Fredi Belerin
BKT
Shqipëri

Gjykata e Posaçme e Apelit lë në burg Fredi Belerin

RTSH

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur sot (18 shtator) të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, i zgjedhur si kryetar i Bashkisë së Himarës më 14 maj.

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Belerit për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin e 21 gushtit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

E pranishme në seancë ka qenë dhe Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Kjo e fundit i ka bërë dhe më herët thirrje drejtësisë shqiptare që të lirojë Fredi Belerin, në mënyrë që ky i fundit të betohej dhe të ushtronte detyrën si Kryebashkiak.

Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur që më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.

Në zgjedhjet e 14 majit, Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.

Beleri u arrestua për blerje votash, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi. Ky i fundit u la nga GJKKO në “detyrim paraqitje”, për shkak të problemeve shëndetësore.


MË SHUME NGA Shqipëri