AGK: Deklaratë e rrezikshme dhe e papranueshme e Bislimit kundër medieve
N.M. /RTRKlive
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për mediat në Kosovë. AGK ka thënë se nuk është hera e parë që Bislimi sulmon mediat vendore me akuzën se ato “financohen nga Serbia”.
“Jo për herë të parë, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, që udhëheq me negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi ka sulmuar mediet kosovare, duke e bërë akuzën e rrezikshme se ato “financohen nga Serbia”, thuhet në reagimin e AGK-së
Në konferencën për shtyp bashkë me kryeministrin Kurti, kur është pyetur për lëshimet që ai i ka përmendur më herët në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, ai, sipas AGK-së, ka bërë deklarata skandaloze.
“Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhanë konotacion…”, ka thënë Bislimi në konferencë.
AGK-ja, e dënon ashpër këtë gjuhë të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë, dhe vë në pah se kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e medieve kosovare.
Sipas AGK-së, Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediet kosovare, dhe të lejojë ato ta bëjnë punën e tyre, duke përfshirë komponentin shumë të rëndësishëm të mbajtjes përgjegjës të pushtetit.
























