Osmani takoi presidentin e Kenias, temë thellimi i bashkëpunimit ekonomik
BKT
Lajme

Osmani takoi presidentin e Kenias, temë thellimi i bashkëpunimit ekonomik

F.S / RTKlive

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenias, William Ruto.

Sipas një njoftimi për media nga Presidenca e Kosovës, në këtë takim, Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve.

“Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

Presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike.

Osmani e Mikati flasin për mundësitë e bashkëpunimit me interes të përbashkët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Osmani e Mikati flasin për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët

Përmes një njoftimi për media thuhet se në takim, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për  formalizimin e marrëdhënieve diplomatike.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit  në fushat e interesit të përbashkët.

Në takim me kryeministrin Mikati, Osmani foli edhe për organizimin e edicionit të dytë të Forumit global të Grave, Paqes dhe Sigurisë që mbahet më 23 tetor të këtij viti dhe i bëri ftesë për pjesëmarrje atij dhe zyrtarëve të tjerë libanezë.


MË SHUME NGA Lajme