Arreston dhjetë të dyshuar dhe kryen kontrolle në katërmbëdhjetë lokacione
A.B/RTKlive
(E plotësuar, ora 10:45) Policia ka zhvilluar veprime hetimore për një periudhë disa mujore, nën dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprimtari penale. Veprimet policore janë kryer në koordinim më Prokurorinë e Shtetit.
“Pas grumbullimit të të dhënave dhe nën dyshimin se janë konsumuar disa vepra penale nga të dyshuarit, është zbatuar një urdhëresë nga gjykata për kontrolle në disa lokacione”m thuhet në njoftim
Policia e Kosovës për të kompletuar të dhëna e dëshmi rreth rastit, ka kryer kontrolle në 14 lokacione në qytetet: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan.
“Gjatë operacionit policor të sotëm janë arrestuar 10 të dyshuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’dhe ‘hyrje në sistemet kompjuterike’”, theksohet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro.
“Policia ka sekuestruar prova të ndryshme relevante, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tre armë dhe municion. Rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit”, njofton policia.
Krimet Kibernetike të Policisë me aksion në disa rajone të Kosovës
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike i Policisë së Kosovës, është duke realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, në disa rajone të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për RTKlive se operacioni policor është duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
“Mund të konfirmojmë se Departamenti i Hetimeve përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike është duke e realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, në disa rajone të Kosovës”, tha ai,
Kelani tha se operacioni policor është duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. “Pas përfundimit të operacionit pritet të bëhen të ditura detajet”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.























