Policia: Po mbledhim informata për keqtrajtimin e 3-vjeçarit nga edukatoret
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Policia: Po mbledhim informata për keqtrajtimin e 3-vjeçarit nga edukatoret

V.Shala e A.Bela /RTK

(E plotësuar, ora 15:30) Policia e Kosovës njofton se është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë.

"Pas publikimit të pamjeve të tilla ne kemi marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë kemi filluar një hetim preliminar për çështjen. Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato", njofton Policia e Kosovës.

Veprimet policore po koordinohen me prokurorin e shtetit si dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.

"Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit",", njofton Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit.

"Vlerësojmë komunitetin për mirëkuptimin dhe sigurojmë që ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje që vendi ynë të mbetet i sigurt për të gjithë", njofton Policia e Kosovës.

Edukatoret e dyshuara për dhunën ndaj 3 vjeçarit po intervistohen në polici

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, është deklaruar për media pas rastit të dhunës ndaj një 3 vjeçari, në çerdhen “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se edukatoret që pretendohet të jenë të përfshira në rast po intervistohen nga policia aktualisht.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëmFoto: Valjeta Shala/ RTK

Ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast.

Për detaje tjera do të njoftohet  pasi të përfundon faza fillestare e hetimit.

Avokati Nasuf Hasani tha se në këtë rast janë kryer tri vepra penale. Ndërsa nëna e 3-vjeçarit,  Fitore Geci tha se ndjehet mjaftë e shqetësuar.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Për rastin reagoi edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Inspektorët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, sot, kanë shkuar në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ky dyshohet se një 3-vjeçar është rrahur nga edukatoret e këtij institucioni.

 


MË SHUME NGA Lajme