Konfiskohen 30 automjete të pazhdoganuara
V.Th. RTKlive
Dogana e Kosovës njofton se Njësitë Antikontrabandë kanë konfiskuar 30 automjete të pazhdoganuara gjatë një kontrolli në tri lokacione të ndryshme.
Sipas njoftimit, konfiskimi është bërë në fshatin Xërxe të komunës së Rahovecit, dhe dy në fshatin Carallukë të komunës së Malishevës, e lidhur me këto raste, në përputhje me procedurat ligjore, është filluar procesi i kundërvajtjeve.
“Njësitë Antikontrabandë të Doganës të Kosovës vazhdojnë të kryejnë kontrolle nëpër territorin e vendit për të parandaluar veprimtarinë e kontrabandës. Gjatë një operacioni janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme, me pika thelbësore në Xërxe/Rahovec dhe dy në Carallukë/Malishevë. Njësitë e Doganës të Kosovës kanë identifikuar dhe kryer kontrollin e automjeteve me targa të huaja, si dhe kanë gjetur auto pjesë pa dokumentacionin e nevojshëm që dëshmon se automjetet nuk janë te zhdoganuara. Si rezultat të këtyre kontrolleve, janë zbuluar dhe sekuestruar 30 automjete të pa-zhdoganuara, si dhe pjesë të automjeteve të paligjshme në këto tri lokacione. Në përputhje me procedurat ligjore, është filluar procesi i kundërvajtjeve”, thuhet në njoftimin e Doganës.























