Kurti takon ambasadorin Kolly: Falënderon Zvicrën për investime në Kosovë
M.Sh/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin e ndërsjellë gjatë gjithë mandatit të tij dhe për kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe përparimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Krahas bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Kolly edhe për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, e cila ka qenë e rëndësishme në secilën fazë të çlirimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj, njofton Kryeministria.
“Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, ndërkaq vetëm për vitet 2022-2025 ka ndarë afërsisht 86 milionë franga për Kosovën veçanërisht në fushat e Qeverisjes Demokratike dhe Paqes, Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Uji dhe Shëndeti”, ka thënë Kurti.
Ambasadori helvetas falënderoi kryeministrin për komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e afërt. Ai u shpreh mirënjohës për kohën e tij në Kosovë.
Kurti dhe Kolly edhe në këtë takim lamtumirës, biseduan për raportet ndërshtetërore, fushat se ku ato mund të thellohen edhe më tej, dhe për trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare, sidomos në sektorin e Teknologjisë së Informacionit..jpg)























